Edhe 25 vjet pas transferimit te Real Madridi, tifozët e Barcelonës nuk e kanë falur Luis Figon, dhe ai e ndjeu këtë nga afër kur u shfaq mes tifozëve të klubit katalunas të mërkurën mbrëma.
Figo e ndoqi humbjen e Barcelonës nga Paris Saint Germain drejtpërdrejt nga tribuna VIP. Parisienët treguan pse janë kampionë evropianë, sepse bënë një rikthim dhe mposhtën Barcelonën pavarësisht faktit se luajtën pa yjet më të mëdhenj.
Në prag të ndeshjes së madhe në stadiumin ‘Olimpic Lluis Companys’, dikur ylli i madh i futbollit botëror u shfaq në stolin VIP. Megjithatë, hyrja e Figos në tribuna tregoi se tifozët nuk e kanë falur kurrë transferimin te Real Madridi dhe nuk do ta falin kurrë.
Pasuan një seri vërshëllimash të ashpra dhe më pas i gjithë stadiumi këndoi një këngë ofenduese.
“Ai portugez, është bir ku**e”, ishte mesazhi që jehoi në gjithë stadiumin.
Gazetarja Laia Cervello Herrero, e cila ishte në vendngjarje, tha se fyerjet ishin “shurdhuese” dhe përsëriteshin çdo pesë minuta, të drejtuara ndaj ish-futbollistit të famshëm portugez.
Edhe pse Figo ishte një figurë kyçe për Barcelonën gjatë pesë viteve në të cilat bëri 249 paraqitje, ai “i dogji” të gjitha lidhjet me klubin duke u transferuar te Real Madridi në korrik të vitit 2000. Ky transferim u konsiderua si tradhtia më e madhe në historinë e futbollit.
Në ndeshjen e tij të parë në Camp Nou si lojtar i Real Madridit në nëntor 2002, ai u prit me një pritje të ngjashme nga tifozët vendas, me një tifoz që i hodhi një kokë derri. /Telegrafi/