FIFA pezullon shtatë lojtarë të kombëtares së Malajzisë për një vit për falsifikim dokumentesh

FIFA pezullon shtatë lojtarë të kombëtares së Malajzisë për një vit për falsifikim dokumentesh

Shtëpia e futbollit, FIFA ka njoftuar zyrtarisht se ka pezulluar shtatë lojtarë të ekipit kombëtar të Malajzisë për një vit për arsye falsifikimi të dokumenteve.

Komiteti Disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit vendosi sanksione kundër Federatës së Futbollit të Malajzisë (FAM), si dhe lojtarëve Gabriel Palmero, Facundo Garces, Rodrigo Olgado, Imanol Machuca, Joao Figueiredo, Jon Irastabala dhe Hector Hevel për falsifikim dhe shkelje të Kodit Disiplinor.


Këta futbollistë kanë rrënjë argjentinase, spanjolle, braziliane dhe holandeze, me Garces që luan për ekipin e La Ligas, Alaves.

Pretendohet se, kur i paraqiti kërkesat FIFA-s, FAM përdori dokumentacion të falsifikuar në mënyrë që futbollistët e lartpërmendur të mund të luanin më 10 qershor për Malajzinë kundër Vietnamit në raundin e tretë kualifikues të Kupës së Azisë.

Si rezultat, Federata e Futbollit të Malajzisë është urdhëruar t’i paguajë FIFA-s një gjobë prej 350,000 frangash zvicerane, dhe secili prej futbollistë nga 2,000 franga.

Përveç kësaj, të shtatë lojtarët pezullohen nga çdo aktivitet futbollistik për 12 muaj duke filluar nga data e njoftimit të vendimit, i cili mund të apelohet në Komitetin e Ankesave të FIFA-s. /Telegrafi/