FIFA po rishkruan rregulloret e saj në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve të kampionateve vendase jashtë territorit të tyre dhe po kërkon këshilla ligjore për të ndaluar përfundimisht këtë praktikë, pasi UEFA miratoi me hezitim zhvillimin e disa ndeshjeve të La Ligas dhe Serie A jashtë vendit.
Ndeshjet që do të luhen janë: Villarreal ndaj Barcelonës në Miami dhe Milan ndaj Comos në Perth.
Mes polemikave në rritje për zhvillimin e ndeshjeve të kampionateve kombëtare jashtë kufijve, FIFA po punon për të përgatitur një rregullore më të fortë që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Ky veprim vjen pas miratimit të UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve jashtë vendit, një vendim që vetë UEFA e justifikoi me boshllëqet që ekzistojnë në rregulloret aktuale, të cilat janë të vjetruara.
Sipas raportimeve, FIFA është shprehur e irrituar pasi rregullat e vitit 2014 nuk i japin asaj fuqi për të ndaluar këto ndeshje, për sa kohë që të gjitha palët përkatëse bien dakord.
Ideja fillestare për eksportimin e ndeshjeve të kampionateve vendase, propozimi i Ligës Premier për një “ndeshje të 39-të” në vitin 2008, u prit me zemërim nga tifozët dhe u hoq menjëherë.
Villarreal vs Barcelona do të luhet në Miami
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka bërë të qartë se këto ndeshje të miratuara nuk do të hapin rrugën për zhvillimin e më shumë ndeshjeve jashtë vendit.
“Ndeshjet e ligës duhet të luhen në vendin përkatës, çdo alternativë tjetër do t’i mohonte të drejtën tifozëve besnikë që ndjekin ndeshjet nga stadiumi dhe mund të sillte elementë shtrembërues në gara”.
“Konsultimi ynë konfirmoi përmasat e këtyre shqetësimeve. Edhe pse është për të ardhur keq që këto dy ndeshje do të luhen, kjo është një vendimmarrje e jashtëzakonshme dhe nuk duhet të merret si precedent”.
“Angazhimi ynë është i qartë, të mbrojmë integritetin e kampionateve kombëtare dhe të sigurojmë që futbolli të mbetet i lidhur fort me mjedisin e vet natyral”, ka thënë Ceferin./Telegrafi/