Federata e Futbollit të Maqedonisë ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar dje në Strumicë, mes AP Brera dhe KF Bashkimi, e vlefshme për javën e 9-të të Ligës së Parë, njofton Telegrafi.
Kontestimet lindën në minutën e 85-të, kur gjyqtari kryesor Plarent Salihu nga Tetova, akordoi një penallti për skuadrën vendase, pas një dueli në zonë.
Sipas sqarimit zyrtar, nga pamjet e analizuara rezulton se mbrojtësi mysafir me numrin 2, në përpjekje për të larguar topin me kokë, gjatë rënies pa dashje shkel mbi lojtarin vendas me numrin 77, moment të cilin gjyqtari e interpretoi si ndërhyrje të palejuar.
VAR ndërhyri për ta ftuar arbitrin që të rishikonte pamjet, duke vlerësuar se intensiteti i kontaktit ishte minimal dhe se nuk pati ndikim real në lojë. Megjithatë, gjyqtari vendosi të mos ndryshojë vendimin fillestar, duke qëndruar në qëndrimin për penallti, vendim që më pas u konsiderua i gabuar nga kontrolluesit e arbitrimit.
Nga FFM theksojnë se gjyqtari do të vlerësohet negativisht për këtë rast, por njëkohësisht rikujtojnë se gabimet njerëzore janë pjesë e futbollit, edhe kur përdoret teknologjia VAR.
Federata dhe Organizata e Gjyqtarëve kanë theksuar se do të vazhdojnë me trajnimin dhe përgatitjen profesionale të arbitrave, për të ngritur standardet e drejtësisë në ndeshje dhe për të ruajtur integritetin e garës. /Telegrafi/