Fetoshi: Vendimi i SHBA-së, një shqetësim strategjik që duhet të adresohet

Fetoshi: Vendimi i SHBA-së, një shqetësim strategjik që duhet të adresohet

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Kosovë është më i ulëti në rajon, duke e vlerësuar këtë si një dëshmi të qartë të orientimit euro-atlantik të vendit dhe përkushtimit të tij të palëkundur ndaj vlerave perëndimore.

Fetoshi ka theksuar se Kosova, si një ndër shtetet më pro-amerikane në botë, nuk mund dhe nuk duhet të tolerojë asnjë aktivitet terrorist apo përpjekje për destabilizim nga shtete armiqësore, përfshirë këtu edhe Serbinë.


“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për Dialogun Strategjik me Kosovën ka ngjallur shqetësime të arsyeshme, por në të njëjtën kohë ka imponuar nevojën për adresim të shpejtë dhe produktiv të sfidave të përbashkëta të sigurisë në kontekstin rajonal”, ka shkruar Fetoshi në Facebook.

Ai theksoi se veprimet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e sovranitetit dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e saj nuk janë të drejtuara kundër fqinjëve dhe as kundër aleatëve strategjikë, por përkundrazi, kontribuojnë në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta përballë kërcënimeve gjeopolitike me karakter revizionist.

“Kosovën dhe aleatët e saj në krye me SHBA-të, i bashkon vlera e LIRISË, angazhimi aktual pa rezerva në të gjitha frontet dhe përcaktimi i palëkundur me BE-në dhe NATO-n”, ka theksuar ai Fetoshi.

Fetoshi ka theksuar se Kosova nuk duhet të lejojë ndërhyrje malinje nga Serbia, as rikthimin e strukturave kriminale si ato të drejtuara nga Milan Radoiçiq.

“Një qëndrim i tillë i palëkundur është në interes të të gjithë rajonit dhe në fund të fundit edhe të vetë Serbisë”, ka shkruar ai.

Fetoshi ka theksuar se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është dhe do të mbetet i pathyeshëm.