Na ndajnë edhe dy javë nga zgjedhjet lokale ku qytetarët e Kosovës do të hedhin votën e tyre për kryetar të komunave.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka paralajmëruar se Kosova do të përballet me kërcënime serioze ndaj integritetit të zgjedhjeve të 12 tetorit.
Ai tha se Serbia do të synojë të ndikojë në procesin zgjedhor përmes manipulimeve, presioneve dhe ndërhyrjeve kibernetike, duke fuqizuar Listën Serbe si instrument politik në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Fetoshi theksoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente përballë këtyre sfidave, ndërsa bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë mbetet thelbësor për të mbrojtur demokracinë dhe proceset zgjedhore.
“Sipas gjitha gjasave po, ashtu si në të kaluarën edhe kësaj radhe në institut jemi duke u përpjekur që ta monitorojmë intensivisht çfarëdo aktivitet që konsiston në minimin e integritetit të procesit zgjedhor të 12 tetorit në Kosovë. Jemi të bindur që do të shohim të njëjtat aktivitet kërcënuese dhe minuse për integritetin e zgjedhjeve. Jemi të bindur që institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente në kuptimin e parandalimit të çfarëdo sulmi eventual kibernetik që mund të na vijë nga Serbia”.
“Përveç kësaj gjithashtu jemi dëshmitarë të veprimeve të njëjta të Serbisë që minojnë demokracinë në vendin tonë nëpërmjet manipulimit zgjedhor dhe nëpërmjet fuqizimit të Listës Serbe si organizatë proksi e Serbisë në jetën politike të Kosovës për shkak se në të kaluarën kemi parë metoda të kërcënimit, shantazhit, blerjes së votave e që kjo i bije që po”, tha Fetoshi.
Por përveç ndërhyrjeve zgjedhore, Fetoshi tha se Kosova duhet të ketë kujdes edhe ndaj skenarëve të tjerë destabilizues që, sipas tij, janë në interesin strategjik të Serbisë.
“Përveç cenimit të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të drejta që Kosova mëton t’i realizojë në çdo cikël zgjedhor, kemi gjithashtu arsye që të jemi të shqetësuar dhe që na thërret për vigjilencë sa i përket aktiviteteve të tjera të cilat mund të jenë skenarë destabilizimi eventual për shkak se kjo do t’i shërbente minimisht të proceseve demokratike dhe mbajtjes gjallë të destabilizmit të Kosovës. Pra një situatë që është në interesin e Serbisë me qëllim që të mos lejohet që Kosova të ndërtojë qëndrueshmëri institucionale dhe që Kosova të ketë sukses në integrimin e komunitetit serb në institucionet dhe jetën shoqërore të saj. Duke pasur parasysh këtë qëllim strategjik nga ana e Serbisë, unë besoj që edhe në këto zgjedhje do të shohim gjithnjë e më tepër aktivitet kërcënuese për integritetin zgjedhor dhe ndërhyrje që e cenojnë demokracinë në zgjedhjet e 12 tetorit”, theksoi ai.
Fetoshi nënvizoi se koordinimi me aleatët ndërkombëtarë është i domosdoshëm për ta ruajtur procesin zgjedhor nga kërcënimet, veçanërisht ato kibernetike dhe të natyrës politike.
“Unë besoj që në koordinim me aleatët ndërkombëtar, kemi kapacitet ndonëse sa i përket sigurisë kibernetike ende gjendja lë për të dëshiruar. Por jam i bindur që me mbështetjen e BE dhe SHBA Kosova tashmë ka shënuar hapa të rëndësishëm në sigurinë kibernetike sa i përket kësaj dhe e dyta policia dhe institucionet e tjera duhet të jenë vigjilente në kuptimin e aktiviteteve që konsistojnë të kërcënimi, shantazhi, dhe blerja e votave për shkak se këto paraqesin ndërhyrje që cenojnë demokracinë dhe që cenojnë kapacitet përfaqësues të qytetarëve serb të Kosovës për shkak se ndërhyrjet e Serbisë vazhdimisht i kemi parë në këtë terren, me qëllim që të ruhet fuqia e saj ndikuese nëpërmjet Listës Serbe në zgjedhjet në Kosovë”, u shpreh ai.
The post Fetoshi: Serbia do tentojë të minojë integritetin e zgjedhjeve të 12 tetorit appeared first on Klan Kosova.