Aktivitetet kulturore në Kosovë do t’i begatojë festivali “Rame Lahaj International Opera Festival”. Tashmë ky festival ka mbushur pesë vjet.
Nga data 23 korrik e deri më 2 gusht, kur edhe do të mbahet mbrëmja gala në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për plot 10 ditë do të promovohen aktivitete muzikore e të larmishme për pjesëmarrësit dhe dashamirët e artit të muzikës.
Kjo ngjarje madhore nuk do të zhvillohet veç në Prishtinë, por aktivitetet do të shtrihen edhe në Pejë e Mitrovicë.
Për detajet e këtij organizimi, në Klan Kosova ka folur koordinatori artistik, Besmir Voskopola.
Ai tha se krejt kjo nisi si një ëndërr e themeluesit, Ramë Lahaj.
“Pos barrierave dhe sfidave si mungesa e një shtëpie të Operës të cilën ende sot e asaj dite nuk e kemi në Kosovë. Ne kemi avokuar qysh në ditën e parë për nevojën e kësaj hapësire, si një mundësi që artistët e Kosovës, të rinj dhe ata në zhvillim të kishin mundësi të shkëmbenin eksperiencat e tyre, por kjo nuk na ka ndalur”, tha ai në Klan Kosova.
Motoja e këtij festivali është “Ëndrra pa kufi, opera pa mure”.
The post Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”, starton me 23 korrik – zbulohen emrat (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.