Prishtina është shndërruar në një qendër të artit pamor me mbajtjen e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – Fotoist, i cili këtë vit mban temën “Festë”. Ky edicion sjell një program të pasur me ekspozita, instalacione dhe homazhe kushtuar artistëve që kanë lënë gjurmë në fotografinë shqiptare.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohen 36 ngjarje fotografike, përfshirë 12 ekspozita që do të hapen në hapësira të ndryshme të kryeqytetit. Nëntë prej tyre do të hapen më 17 tetor, në orën 18:00, duke shënuar nisjen zyrtare të këtij edicioni në një ambient unik – pesë nivelet e Hotel “Grand” në qendër të Prishtinës, që përfshijnë sheshin dhe katër kate të brendshme të hotelit.
Ekspozitat do të vazhdojnë edhe në institucione të tjera kulturore, si Galeria e Akademisë së Arteve dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, duke e shtrirë festivalin në disa prej hapësirave më ikonike të qytetit.
“Gjatë hapjes do të kemi një ekspozitë jashtë Hotelit Grand nga Seven Foundation dhe nga fotografi Osman Demiri, me një temë jashtëzakonisht të ndjeshme – refugjatët e Çegranit të vitit 1999,” ka treguar për Telegrafin fotografi dhe drejtori i festivalit, Burim Myftiu.
Në kuadër të hapjes do të mbahen edhe homazhe për dy miqtë e Fotoistit, fotografët Alban Bujari dhe Pollo, të cilët kanë ndërruar jetë gjatë vitit të fundit.
“Ftoj të gjithë adhuruesit e fotografisë dhe artit në përgjithësi që të marrin pjesë në hapjen e festivalit, e cila do të mbahet në sheshin para Hotelit Grand. ‘Festë’ është një ftesë për të kremtuar artin, jetën dhe kujtesën përmes fotografisë,” tha më tej Myftiu.
Edicioni i sivjetmë i Fotoistit pritet të tërheqë dhjetëra artistë vendas dhe ndërkombëtarë, duke e bërë Prishtinën për disa ditë me radhë një qendër të gjallë të dialogut vizual dhe kreativitetit. /Telegrafi/