Qytetarë të Ferizajt po ankohen për zhurmën që pretendojnë se po ua shkakton një lokal fast-food me muzikën me zë të lartë që po e lëshon.
Për Klankosova.tv, ata po thonë se po “torturohen” nga kjo zhurmë e madhe.
Sipas tyre, në zonën e këtij lokali jetojnë mbi 5 mijë familje në rreth 30 hyrje të ndërtesave.
Ata theksojnë se për rastin janë ankuar edhe në Policinë e Kosovës.
Klankosova.tv ka kontaktuar me lokalin në fjalë. Nga ky biznes konfirmuan se ka pasur ankesa nga qytetarët, e madje thanë se edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë qenë aty për të njëjtën çështje.
Mirëpo, thanë se policia e ka konstatuar se “zëri i muzikës është në nivelin e lejuar”.
Redaksia e Klankosova.tv ka kontaktuar edhe policinë në këtë qytet.
Zëdhënësi Kanun Veseli, tha se zyrtarët policorë ishin në vendin e ngjarjes rreth orës 20:25, pas ankesave që kanë pranuar nga qytetarët.
“Patrulla policore ju ka përgjigjur thirrjes, ka kontaktuar me pronarin e lokalit, por se nuk kishte zhurmë”.
Ai tha se zyrtarët policorë kanë “paralajmëruar pronarin se do të marrë masa ndëshkuese nëse do të kemi ankesë të përsëritur”.
The post Ferizajasit “po torturohen” nga muzika me zë të lartë e një picerie, rasti shkon deri në Polici (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.