Ferizaj: Zgjerimi i rrugës nga MMPHI vazhdon, pavarësisht ankesave të bizneseve

Ferizaj: Zgjerimi i rrugës nga MMPHI vazhdon, pavarësisht ankesave të bizneseve

Bizneset që funksionojnë përgjatë rrugës nacionale, segmentit N2 në hyrje të qytetit të Ferizajt, po ankohen se po dëmtohen nga punimet për zgjerimin e asaj rruge.

Muharrem Mehmeti, përfaqësues i bizneseve, është ankuar përmes një postimi në Facebook në lidhje me zbatimin e ligjit.

“Ajo që po ndodhë në pronën tonë është një dëshmi e qartë që prona private në Kosovë nuk është aspak e mbrojtur, ashtu siç e parasheh Ligji i Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht dhe qëllimisht, ne po përballemi me padrejtësi të shumta, dhe me presione të vazhdueshme nga ana e Policisë, dhe në veçanti me Ministrinë e Infrastrukturës të cilët padrejtësisht po e dëmtojnë rëndë pronën private, pa asnjë të drejtë ligjore”, thotë Mehmeti, raporton Klankosova.tv.

Ai i bëri thirrje urgjente Gjykatës, Prokurorisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë, që “urgjentisht të reagojnë ndaj këtyre padrejtësive, sepse është detyrë e tyre dhe përgjegjësi direkte që të veprojnë në këto padrejtësi që po na ndodhin në pronën tonë private, ne si pronarë legjitimë dhe me fletë poseduese”.

Klan Kosova pati raportuar për këtë problem qysh në qershor të këtij viti, ku bizneset anoheshin në raport me projektin e miratuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Muharrem Mehmeti, përfaqësues i bizneseve, thoshte asokohe se problemet janë me mos-qasjen e tyre në autostradë, gjë e cila, sipas tij e ka dëmtuar rëndë në zhvillim ekonomik këtë pjesë.

Ai ankohej edhe për mostransparencë me këtë projekt.

Se implementimi u bë fshehtas e larg syve e veshëve të pronarëve atje, e thoshte edhe Kenan Gashi nga AVONET.

“Kemi kërkuar nga ministria të kemi qasje në projekt e kontratë, s’kemi marrë. S’ka transparencë e llogaridhënie e përgjegjshmëri ndaj komunitetit, kemi identifikuar që pakënaqësia është shumë e madhe”, shprehej Gashi për Klan Kosova.

Për më tepër, në këtë projekt thuhej se ka edhe mospërputhje të hapësirës grafike me atë tekstuale.

Prandaj, kishin nisur edhe hapat ligjorë, duke deponuar dy padi në gjykatat e Kosovës.

Njëra padi është kundrejt Qeverisë së Kosovës për vendimin preliminar të datës 31 janar në lidhje me shpronësimin për interes juridik. /Klankosova.tv

The post Ferizaj: Zgjerimi i rrugës nga MMPHI vazhdon, pavarësisht ankesave të bizneseve appeared first on Klan Kosova.