Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë së Kosovës shpëtoi jetën e një vajze 21-vjeçare në Ferizaj, e cila kishte tentuar të hidhej nga ballkoni i katit të katërt të një kompleksi banesor, raporton Gazeta Sinjali.
Për rastin ka njoftuar Policia e Kosovë, që sipas tyre, rreth orës 04:30, policia ka pranuar informacion nga qytetarët se viktima ishte duke tentuar të hidhej nga ballkoni i katit të katërt të një kompleksi banesor.
Patrullat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë komunikuar me vajzën për ta qetësuar.
Njëri prej policëve, për shkak të urgjencës dhe rrezikut të lartë, ka hapur derën e banesës me forcë dhe ka ndërhyrë duke arritur ta kapë dhe tërheqë brenda ballkonit, me ndihmën e kolegut tjetër.
Në vendngjarje kanë dalë gjithashtu edhe ekipi i emergjencës, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë viktimës, e cila ishte në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale. Për shkak të gjendjes së saj, ajo është shoqëruar nga policia dhe stafi mjekësor për trajtim të mëtejmë në emergjencë.
“Familjarët e saj janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes. Nga informacionet e siguruara deri më tani, dyshohet se viktima edhe më herët ka pasur probleme të natyrës psikike.
Pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj , ajo është dërguar në Klinikën Universitare të QKUK-së në Prishtinë për kujdes dhe trajtim të mëtejmë.”, thuhet tutje në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!