Rrugëtimi plot 102 ditësh, mori epilog.
Nata e së premtes qe e gjatë që shikuesve anë e mbanë shqiptarisë i ofroi një superspektakël që kulmoi me shpalljen e fituesit të Big Brother VIP Kosova 4.
Lufta ishte ndërmjet pesë finalistëve: Hygertës, Klodit, Ludos, Eljonës dhe Londrimit.
Por, beteja për të parin e këtij edicioni u zhvillua në mes këtyre dy të fundit, e që publiku me votën e tij vendosi për Londrimin.
Rrëmbimi i fitores solli emocione të pa përshkruara për fituesin.
“Mas pari… s’e di, jom i shokum, është një eksperiencë e veçantë. Po du me falënderu Zotin për gjithçka që me ka jep deri sot, familjen tem, Vëllain e Madh për mundësinë, edhe publikun që më ka votu edhe më keni pru deri sot. Ju dua pa fund”, tha Londrim Mekaj.
E lumtur dhe falënderuese u shpreh edhe Elijona, që zuri vendin e dytë.
“Jam shumë krenare me veten. Vendin e dytë as që e kom menu para se me hy në Big, jam shumë krenare edhe ju dua shumë. Faleminderit edhe atyre që më kanë votu”, u shpreh Elijona.
I treti Ludo Lee, garës i dha fund duke pasur pak më shumë pritshmëri.
“Nëse vlerësohet loja, nëse vlerësohet guximi, dinamika, unë e kam pa veten fitues, po publika po vendoska diçka tjetër. Normal Big Brother është një reality show, normal unë lojëra s’kom ditë me lujt, po jom kanë vetvetja”, tha Ludo.
Me këso ndjesi nuk u përball edhe finalisti i katërt, Klodi.
“Pak e pritshme, po sido që të jetë, në javët e fundit me pa si ka shku nominimi e finalistat, u kuptu”, tha Klodian Mihaj.
E pesta, Hygerta tha se ka fituar diçka që nuk krahasohet me asgjë tjetër.
“Kjo nuk është asgjë përballë dashurisë së publikut. Vetëm pak rrugë bëra me makinë aq sa pashë sa njerëz dhe mora shumë dashuri, imagjino sa do të marrë më vonë”, u shpreh Hygerta Sako.
Kësisoj, për më shumë se tre muaj, shikuesit e televizionit numër 1 në vend, Klan Kosova, patën mundësinë të ndjekin shoun më të madh, Big Brothër Vip Kosova 4, duke iu ofruar një eksperiencë të paharrueshme.
E që natyrisht të gjitha ato që banorët i përjetuan brenda shtëpisë më të famshme në vend, si përherë gozhduan audiencën para ekraneve, duke thyer çdo rekord shikueshmërie.
Kështu, udhëheqësi i ekipit të rrjeteve sociale, Diamant Bajra, e rikonfirmoi se që nga 17 nëntori deri më 27 shkurt, fenomeni 102 ditësh BBVK4 gjeneroi mbi 9 miliardë shikime në të gjitha platformat. /Klankosova.tv


