Nga: Marisa Bate / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjithmonë e dinim se do të vinte. Ishin ca shenja të cilat kishim mësuar t’i lexonim: një ndryshim në atmosferë, zhurma e hapjes së derës së frigoriferit, vera që derdhej në gotë. Dhe, pastaj erdhi. Zemërimi i njerkut tim mbushte shtëpinë, edhe dhomat ku ai nuk ndodhej. E fusnim brenda me frymëmarrje dhe e nxirrnim jashtë në heshtje, duke pritur që stuhia të kalonte, duke pritur të shihnim nëse do t’ia dilnim të gjithë mbanë. Si një vajzë e vogël që rritej në atë shtëpi, isha mësuar të ndieja sikur retë e errëta dhe kërcënuese ishin gjithmonë në horizont. Dhe, mësova se zemërimi – madje edhe aroma e tij në ajër – ishte i tmerrshëm.
Dhe, pastaj takova zonjushën Smith.[*] Zonjusha Smith ishte arsimtarja ime e dramës për provimet kualifikuese në shkollën time të mesme të shkëlqyer në rrethinat e Londrës. Ajo ishte plot ide dhe pasion dhe, besoj, kishte një ambicie për të hapur sytë e nxënësve të saj të ndrojtur. Në mëngjesin e një të mërkure na kërkoi të punonim mbi aftësitë tona të improvizimit, ndërsa eksploronim temën e të qenit i/e pastrehë. Ajo e luajti rolin e gazetares televizive që pyeste anëtarët e një komuniteti të të pastrehëve (ne) se si ndiheshim. Nëse mund të duroni idenë problematike të adoleshentëve të klasës së mesme që përpiqeshin të artikulonin një realitet për të cilin nuk dinin asgjë, ky ishte një ushtrim me vlerë, të paktën në nivelin në të cilën zgjoi diçka brenda meje.
Mbaj mend ndjesinë e padrejtësisë që erdhi si një presion në gjoks. Ndihesha e trazuar dhe në ankth; lotët e zemërimit më dolën teksa ndieja se kisha leje, ashtu siç nuk e kisha më parë, të ndieja plotësisht gjithë spektrin e emocioneve të mia. Ajo që po përjetoja në shtëpi gjithmonë më ishte dukur si diçka private, një sekret që ndihej sikur ishte veç i imi. Megjithatë, të qenit i/e pastrehë ishte çështje krejtësisht e panjohur për mua dhe për këtë arsye mund të zemërohesha në lidhje me këtë. Zemërim i sigurt. Kjo ndjenjë paraqiti një zbulim për mua.
E lashë atë orë mësimi duke kuptuar se për herë të parë kisha qasje në diçka – një mënyrë e re për të ndier. Ky lloj zemërimi nuk shkaktonte reagim ngrirjeje; ishte e kundërta. Vinte me një ndjenjë urgjence që më shtynte të veproja. Ditën e fundit të shkollës së mesme, përpara se të nisesha për në universitet, shkova në studion e dramës për të kërkuar zonjushën Smith. I thashë se doja ta falënderoja. Ajo më përqafoi, pastaj më shikoi sikur isha në telashe. “Çfarëdo që të bësh”, tha ajo, “rri e zemëruar”.
Ato fjalë përforcuan mësimin që po merrja në kohë reale: ka një padrejtësi të thellë në këtë botë që nuk mund të injorohet – sado të përpiqesh, apo sado e lehtë të duket për njerëzit. Për më tepër, kemi përgjegjësi të bëjmë diçka për këtë. Fjalët e zonjushës Smith më dhanë lejen të zemërohesha, sepse ajo më ndihmoi ta riformuloja si diçka të dobishme dhe pozitive. Dhe, më së shumti, fjalët e saj më dhanë mundësinë për të rimarrë diçka. Zemërimi nuk i përkiste vetëm burrave që e përdornin për të frikësuar dhe kontrolluar gratë. Zemërimi mund të përdorej nga gratë për të ndryshuar botën. Rreth asaj kohe, zbulova për herë të parë kush ishte Gloria Steinem, dhe dëgjoja me përkushtim albumin Jagged Little Pill nga Alanis Morissette. Falë rrënjëve nga Boltoni nga ana e babait, u interesova për grevat e minatorëve, veçanërisht për gratë dhe se si u organizuan. E pashë që zemërimi i grave ishte i fuqishëm, i qëllimshëm dhe mund të bënte ndryshim. Mund ta përdorja zemërimin për të ndihmuar njerëzit. Mund ta përdorja për të nxitur lidhje. Por, mbi të gjitha, ndjesia e fuqizimit lindi nga vetëdija se mund të rimerrja diçka. Abuzuesit vjedhin pjesët e tua. Disa nga ato gjëra janë të paarritshme. Gjërat që mund të rimarrësh janë jashtëzakonisht kuptimplota. Ishte një ndryshim i lehtë në balancën e pushtetit.
Si shumë të rinj, shkova në universitet e pajisur me shumë besime të sinqerta për të ndryshuar botën. Sa më shumë kalon koha, aq më i fuqishëm bëhet ai besim dhe zemërimi që e ushqen – pikërisht sepse është i qëllimshëm, i menduar dhe i kanalizuar. Ai shfaqet çdo ditë në punën time, duke shkruar për të drejtat e grave, barazinë dhe dhunën e burrave ndaj grave dhe vajzave. Shfaqet në jetën time personale; në organizatat ku dhuroj, marshimet ku marr pjesë, grupet e grave që kam ndihmuar që të organizohen në të kaluarën. Zemërimi mashkullor ende më frikëson. Nuk mund të shoh agresion në filma apo në TV; nuk mund të duroj përplasjen e një dere – edhe kur këtë e bën era. Kam neveri patologjike ndaj ballafaqimit. Por, nuk e kam harruar kurrë këshillën e zonjushës Smith për të qëndruar e zemëruar. Dhe, ashtu siç më tregoi ajo dikur, e gjeta një vend për atë zemërim – një vend të sigurt. /Telegrafi/
__________________
[*] Emri është ndryshuar.