Fëmija nuk thotë më “mami”, por emrin tuaj – çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje

Fëmija nuk thotë më “mami”, por emrin tuaj – çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje

A është kjo një shenjë largimi emocional apo thjesht një fazë e rritjes? Ekspertët tregojnë arsyet e vërteta

Shumë nëna ankohen se fëmijët i thërrasin “mami” pa pushim gjatë ditës. Por çfarë ndodh kur fëmija, shpesh djali, fillon ta thërrasë nënën me emër?


Kjo sjellje shpesh shkakton shqetësim tek prindërit: a është shenjë largimi emocional, marrëdhënie të prishura apo thjesht një fazë e zhvillimit?

Sipas psikologes Konçita Sisi Martin, themeluese e klinikës Salud en Mente, në shumicën e rasteve nuk ka arsye për panik.

Pse fëmija fillon të përdorë emrin?

Psikologia thekson se ka disa arsye të mundshme, por zakonisht kjo nuk lidhet me mungesë dashurie apo me probleme në lidhjen emocionale.

“Ky është një proces natyror i të mësuarit dhe zhvillimit. Fëmija kupton se mamaja nuk është vetëm ‘mami’, por edhe një person me identitet të vetin, përtej rolit prindëror.”

Gjithashtu, fëmijët e vegjël mësojnë me imitim. Nëse dëgjojnë të tjerët – babanë, mësuesen apo familjarë të tjerë, duke e thirrur nënën me emër, edhe ata mund ta përsërisin.

Në varësi të moshës, përdorimi i emrit mund të jetë edhe një shenjë e dëshirës për autonomi. Nuk do të thotë që fëmija largohet emocionalisht nga prindi, por që po teston kufijtë dhe individualitetin e vet, transmeton Telegrafi.

Kur ka arsye për shqetësim?

Edhe pse prindërve mund t’u duket e çuditshme ose e pakëndshme të dëgjojnë emrin e tyre në vend të fjalës “mami”, kjo vetvetiu nuk është shqetësuese.

“Lidhja emocionale e fëmijës me prindin nuk zhduket vetëm pse ai po eksperimenton me fjalë. Dashuria, afërsia dhe siguria mbeten aty”, sqaron dr. Sisi.

Megjithatë, duhet treguar kujdes nëse:

▪ fëmija refuzon me ngulm të thërrasë “mami”,
▪ ka vështirësi në shprehjen e emocioneve,
▪ shfaq shenja të tjera të distancimit emocional.

Në këto raste rekomandohet të kërkohet mendimi i një specialisti, për të përjashtuar probleme të mundshme në zhvillimin e lidhjes emocionale.

Faza natyrale apo sinjal i diçkaje më të thellë?

Është e rëndësishme të mbahet mend se fëmijët janë vazhdimisht në proces eksplorimi të botës përreth, dhe gjuha është mjeti kryesor i këtij eksplorimi. Ndonjëherë do t’ju thërrasin “mami”, ndonjëherë me emër, kjo nuk do të thotë se ju duan më pak.

Prandaj, në vend që të reagoni me shqetësim apo ndalim, përpiquni të flisni me fëmijën dhe ta pyesni pse përdor emrin. Shpesh do të merrni një përgjigje të thjeshtë, tipike fëmijësh, ose një këndvështrim interesant mbi mënyrën si ai e sheh botën. /Telegrafi/