Fëmijëria e hershme është periudha më e rëndësishme për zhvillimin e aftësisë së përqendrimit dhe të vëmendjes, përmes aktiviteteve zbavitëse. Shumë fëmijë përballen me vështirësi në këtë aspekt, ndërsa studimet tregojnë se disa aktivitete mund të ndihmojnë dukshëm në zgjatjen e kohës së fokusit dhe përmirësimin e përqendrimit
Kur janë shumë të vegjël, fëmijët janë plot energji, kureshtarë dhe me tru ende në zhvillim, ndaj shpesh kalojnë nga një aktivitet në tjetrin. Kjo është diçka krejtësisht natyrale në moshat e hershme, por përmes disa ushtrimeve të këndshme mund t’i ndihmoni që gradualisht të zhvillojnë aftësinë për t’u përqendruar për një kohë më të gjatë. Mbani parasysh: të zgjatet fokusi nuk do të thotë që fëmija duhet të qëndrojë gjatë i palëvizshëm, por që të gjenden aktivitete që e tërheqin dhe e mbajnë të angazhuar.
Një studim i Universitetit të Finlandës Lindore ka treguar se periudhat e shkurtra të aktivitetit fizik ndikojnë pozitivisht në aftësinë e fëmijës për t’u fokusuar. Fëmijët e moshës 7–13 vjeç u ftuan të bënin një stërvitje të lehtë nëntëminutëshe përpara se të kryenin teste kognitive. Rezultatet treguan se ata që kishin ushtruar treguan vëmendje dhe kujtesë pune më të mirë sesa ata që kishin qëndruar ulur.
Një studim tjetër i vitit 2023, i publikuar në revistën Springer Nature, analizoi efektet e një kurrikule të bazuar në vëmendje dhe mirësi (MBKC) mbi funksionet ekzekutive dhe zhvillimin social-emocional të fëmijëve parashkollorë. Rezultatet treguan përmirësim të dukshëm në sjelljen sociale, kontrollin emocional dhe gatishmërinë akademike. Edhe prindërit vunë re një rritje të empatisë kognitive tek fëmijët.
Në një intervistë për Times of India, dr. Anita Madan, drejtuese e zhvillimit të kurrikulës në EuroKids, sugjeroi disa aktivitete të provuara që ndihmojnë në rritjen e fokusit dhe vëmendjes tek fëmijët parashkollorë, transmeton Telegrafi.
Leximi aktiv i tregimeve
Leximi me zë të lartë, me mimikë dhe entuziazëm, nxit imagjinatën e fëmijëve. Pyetjet rreth personazheve ose kërkesa për të hamendësuar ngjarjet e ardhshme i bëjnë të dëgjojnë me vëmendje. Kjo zakon praktikisht rrit aftësinë e përqendrimit dhe e mëson fëmijën të ndjekë logjikën e rrëfimit.
Bashkimi i figurave – lodrat që stërvitin durimin
Lojërat e kombinimit të formave apo të bashkimit të pjesëve të një figure ndihmojnë fëmijët të ngadalësojnë ritmin, të vëzhgojnë me kujdes dhe të mendojnë para se të veprojnë. Ndjenja e arritjes kur përfundojnë një enigmë i motivon të qëndrojnë të përqendruar më gjatë.
Dëgjimi përmes lojës
Çdo lojë që kërkon ndjekjen e udhëzimeve zhvillon përqendrimin. Për shembull, fëmija mund të kërkojë “thesarin e fshehur” sipas instruksioneve që i jepni ju. Kështu mëson të dëgjojë, të analizojë dhe të reagojë në mënyrë të qëlluar.
Këndi krijues
Aktivitete si ngjyrosja, vizatimi, prerja apo krijimi i kolazheve forcojnë aftësinë për t’u përqendruar dhe stimulojnë mendimin kreativ. Fëmijët i duan materialet me ngjyra dhe forma të ndryshme, ndaj këto aktivitete i mbajnë të angazhuar për më gjatë dhe u japin mundësinë të shprehen lirshëm.
Detektivët në natyrë
Një shëtitje në park ose në natyrë mund të shndërrohet në lojë vëzhgimi. Kërkojini fëmijës të numërojë zogjtë, të gjejë gjethe me forma të ndryshme apo të kërkojë lule të një ngjyre të caktuar. Këto ushtrime ndihmojnë fëmijën të jetë i pranishëm në moment dhe të forcojë përqendrimin. Mbani mend: fëmijët që angazhohen emocionalisht me aktivitetin përqendrohen më lehtë. Prandaj, lavdërimi dhe durimi janë gjithmonë të mirëseardhura.
Lojërat e “ngrirjes”
Lojërat si “vajza e akullt” apo ato që kërkojnë ndalje dhe rifillim të lëvizjes sipas sinjaleve të një tjetri ndihmojnë në kontrollin e impulseve, një nga komponentët kryesorë të vëmendjes. Përveç kësaj, janë shumë argëtuese për fëmijët.
Renditja shqisore
Mund t’u ofroni objekte me tekstura të ndryshme (të buta, të ashpra, të lëmuara) dhe t’i kërkoni t’i rendisin vetëm përmes prekjes. Angazhimi i shqisave ndihmon trurin të forcojë lidhjet në zonat përgjegjëse për vëmendjen dhe përmirëson përqendrimin.
Tregimi i përbashkët
Uluni në rreth dhe filloni një histori me një fjali. Secili pjesëmarrës shton nga një fjali për ta vazhduar. Kjo lojë zhvillon dëgjimin aktiv, kujtesën dhe kreativitetin, duke stërvitur njëkohësisht edhe fokusin.
Ushtrime të shkurtra fizike
Mësoni fëmijën të bëjë ushtrie të lehta, si të “marrë frymë ngadalë si dragoi” ose të “balancojë në njërën këmbë si flamingo”. Këto ushtrime qetësojnë sistemin nervor, ndihmojnë vetërregullimin dhe rikthimin e përqendrimit.
Krijimi i një ambienti motivues
▪ Edhe mjedisi ndikon në aftësinë për t’u fokusuar.
▪ Hiqni shpërqendrimet si zhurmat apo televizorin, sigurojini fëmijës një vend të rehatshëm e me dritë të mirë dhe mos harroni t’i lini pushime të shkurtra gjatë aktivitetit.
▪ Lavdëroni për përpjekjen dhe këmbënguljen, jo vetëm për rezultatin – kjo e motivon të vazhdojë.
Kujtoni gjithmonë: vëmendja dhe përqendrimi nuk janë aftësi të lindura, por mësohen dhe forcohen me kohë, përmes ushtrimeve, durimit dhe qëndrueshmërisë. Këto aktivitete të thjeshta janë një mënyrë e bukur për ta bërë këtë proces të këndshëm dhe efikas. /Telegrafi/