Federata Serbe e Futbollit: Ndeshja me Shqipërinë shumë e rrezikshme, nuk do të shitet asnjë biletë

Federata Serbe e Futbollit: Ndeshja me Shqipërinë shumë e rrezikshme, nuk do të shitet asnjë biletë

Në prag të ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë që do të zhvillohet në Leskovc më 11 tetor, Federata Serbe e Futbollit ka bërë një njoftim të rëndësishëm për tifozët e saj.

Ata nuk do të shesin asnjë biletë edhe pse kanë mundësi që të kenë rreth 6000 të pranishëm në këtë stadium dhe ndeshje për të cilën kanë marrë një denim me kusht.


“Në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe, mbi të gjitha, përvojën e keqe nga ndeshja e mëparshme që u ndërpre në vitin 2014, dhe për shkak të kësaj ekipi ynë mbeti jashtë Europianit, Komiteti për Çështje Urgjente i FSS-së mori vendimin se për duelin e ardhshëm midis Serbisë dhe Shqipërisë, i cili do të luhet më 11 tetor në stadiumin ‘Dubočica’ në Leskovc, nuk do të ketë bileta në shitje”, thuhej në njoftimin e tyre.

Pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet me shpërndarjen e biletave për komunitetin e futbollit përmes shpërndarjes nga zyrat rajonale të Federatës së Futbollit tek klubet, studentët e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale dhe shoqatat e futbollit, sponsorët zyrtarë dhe të ftuarit e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias, si dhe ekipet mjekësore dhe të tjera grupe të nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.

Hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara në mënyrë strikte dhe me inspektimin e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë.

Dueli midis Serbisë dhe Shqipërisë u shpall nga të gjitha institucionet kompetente si FIFA, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe Federata e Futbollit të Serbisë, si një ndeshje me rrezikun më të lartë të sigurisë.

Sidomos për këtë rast, FIFA do të dërgojë deri në dy oficerë sigurie në Leskovac, dhe nuk do të ketë tifozë mysafirë në tribuna, në përputhje me udhëzimet e sigurisë dhe me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në këtë ngjarje./Telegrafi/