FBI ka shkarkuar një grup agjentësh të cilët ishin fotografuar duke u gjunjëzuar gjatë një proteste për drejtësi racore, pas vdekjes së George Floyd në vitin 2020.
Agjentët morën pjesë në një demonstratë në Washington DC, ku u gjunjëzuan bashkë me protestuesit si shenjë solidariteti. Floyd, një burrë me ngjyrë, u vra nga ish-polici, Derek Chauvin, i cili i qëndroi mbi qafë për më shumë se nëntë minuta, duke shkaktuar reagime të fuqishme në mbarë botën.
Mendohet se rreth 15 ose 20 agjentë u shkarkuan të premten, megjithëse shifrat e sakta mbeten të paqarta, raporton BBC. Shoqata e Agjentëve të FBI-së e dënoi vendimin, duke e quajtur një shkelje të të drejtave të tyre. Vetë FBI nuk ka pranuar të komentojë mbi rastin.
Vendimi vjen në një klimë të re politike, ku administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të largojë, sipas saj, politikat “të majta” apo “woke” nga institucionet federale. Në vitin 2020, shumë komentues konservatorë kritikuan agjentët dhe oficerët e policisë që u gjunjëzuan, ndërsa mbështetësit e këtij gjesti theksuan se bëhej fjalë për një strategji për të ulur tensionet, jo domosdoshmërisht për mbështetje politike.
Gjesti i gjunjëzimit u kthye në një simbol të protestës kundër racizmit dhe dhunës policore në SHBA, duke u bërë edhe më i fuqishëm pas publikimit të pamjeve të Chauvin mbi qafën e Floyd. Ai aktualisht po vuan një dënim prej 22 vjetësh e gjysmë për vrasjen e tij.
Shkarkimet e fundit janë pjesë e një vale më të gjerë largimesh në FBI.
Ish-drejtues si Brian Driscoll, Steven Jensen dhe Spencer Evans janë larguar gjithashtu muajt e fundit. Më herët këtë muaj, tre ish-agjentë paditën drejtorin e FBI-së, Kash Patel, dhe Prokuroren e Përgjithshme të SHBA, Pam Bondi, duke pretenduar se u shkarkuan për të kënaqur politikisht Trumpin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!