Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj paraqiten sot para gjykatës në lidhje me akuzat për korrupsion

news image

Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës, do të paraqiten sot në gjykatë në seancën fillestare të procesit ku akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Përveç kësaj, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, të dy të pandehurit ngarkohen se, duke qenë në dijeni që Kuvendi i Komunës së Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale.

Në kohën kur dyshohet se është kryer vepra, Hysen Muzliukaj kishte qenë këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dëm material në shumën mbi 125 mijë euro.

“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhej në njoftimin e prokurorisë para disa dite.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/