Talenti Erjon Gashi do ta ketë rastin për ta dëshmuar vetën në prova te gjiganti kroat, Hajduk Split.
KF Vëllaznimi përmes një komunikate zyrtare ka konfirmuar se 17-vjeçari do ta ketë shansin dhe të bëjë hapin e rëndësishëm në karrierë.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Klubi i Futbollit Vëllaznimi ka kënaqësinë të njoftojë se talenti ynë premtues, Erjon Gashi, ka marrë një ftesë zyrtare për prova te klubi i njohur kroat, Hajduk Split. Kjo ftesë vjen si një njohje e talentit dhe punës së palodhur të futbollistit 17-vjeçar.
Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për Erjonin që të tregojë aftësitë e tij në një mjedis ndërkombëtar dhe të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Të gjithë në KF Vëllaznim jemi krenarë për arritjen e tij dhe i urojmë fat e suksese në këtë sfidë të re, duke shpresuar që ai të shkëlqejë dhe të na bëjë të gjithëve krenarë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Sulmuesi tani mund ta ketë mundësinë për ta dëshmuar kualtetin, e ndoshta edhe të bëhet bashkëlojtar i Rron Rraçit./Telegrafi/