E shtunë, 26 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeFamiljet shpresojnë në drejtësi për vrasjet e paregjistruara të pasluftës

Familjet shpresojnë në drejtësi për vrasjet e paregjistruara të pasluftës

Shumë vrasje të kryera mes qershorit e dhjetorit të vitit 1999, viktima të incidenteve të ndryshme kriminale, në kohën kur nuk kishte sistem funksional gjyqësor në Kosovë, nuk figurojnë të regjistruara nëpër prokurori. Familjarët shpresojnë për zbardhjen e tyre.

Zenel Nikçi kujton natën e 26 korrikut të vitit 1999, kur fqinji e kishte njoftuar se motra e tij, Shota 55, dhe djali i saj, Ymer Mekuli 27, ishin gjetur të vrarë në shtëpinë e një fqinji boshnjak në Pejë. Pasi kishte mbërritur atje, e kishte gjetur shtëpinë ende në flakë.

Trupat e motrës, të nipit dhe të çiftit, Qamil e Nekibe Shuanoviq, që ishin fqinj të tyre, ishin dërguar në morg nga trupat e KFOR-it, që në atë kohë ishin të vetmit përgjegjës për t’iu përgjigjur çdo lloj situate.

“Unë i takova një ditë më herët. Një ditë më vonë erdhi një fqinj e më tha që Shotën e Ymerin i kanë vrarë. Ishte shok”, tregon Nikçi për Radio Kosovën.

Në atë kohë Shota ishte infermiere në Njësinë e Transfuzionit të Gjakut në Pejë. Ajo, si shumica e shqiptarëve të zhvendosur me dhunë, kishte një muaj që ishte kthyer dhe rifilluar punën.

Nikçi thotë se Shota kishte shkuar për të larë rroba në oborrin e fqinjëve boshnjakë, por nuk dihet se si nipi ishte ndodhur atje.

“Me gjasë Ymeri ka dëgjuar britma dhe ka vrapuar atje, dhe e kanë vrarë edhe atë”, thotë ai.

Ajo që Zenelit i ishte treguar ishte se në vendin e vrasjes motra dhe nipi ishin gjetur me nga një tel në fyt. Ndërsa fqinji, Qamili, dhe gruaja e tij ishin ekzekutuar me armë.

“Në kohë dhe vend të gabuar”

Fatime Mekuli, vajza e Shotës, tregon se një zyrtar i KFOR-it i kishte thënë se “duket që nëna dhe vëllai i juaj janë ndodhur në vend të gabuar dhe në kohë të gabuar. “Nuk e dinim nëse ka dosje, por e dimë që e vërteta nuk u zbardh”, thotë ajo.

Por, në Prokurorinë e Pejës ky rast nuk ishte regjistruar në asnjë dosje.

Si kjo, shumë qindra vrasje të kryera pas luftës, në kohën kur policia nuk kishte filluar të funksiononte dhe trupat e KFOR-it ishin përgjigjja e parë ndaj çdo incidenti, nuk figurojnë të regjistruara dhe nuk u hetuan kurrë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ia ka konfirmuar Radio Kosovës se hetimet për rastin e Shota e Ymer Mekulit u hapën vetëm në vitin 2017.

“Kemi pranuar një kallëzim penal ndaj personave N.N. Janë intervistuar dëshmitarët, dhe kjo çështje është e hapur dhe po hetohet”, ka thënë Nikçi.

Gjithandej Kosovës shumë vrasje mes qershorit e dhjetorit të vitit 1999 nuk figurojnë të regjistruara nëpër prokurori, viktima të dyfishta të incidenteve të ndryshme kriminale, në kohën kur nuk kishte një sistem funksional gjyqësor.

Mëngjesin e 6 qershorit të vitit 2000, Emrah Asani, 13-vjeçar, kishte shkuar, si çdo ditë tjetër, për të punuar me një karrocë dore në tregun e qytetit në Ferizaj. Në shtëpi iu kishte thënë se do të kthehej në mesditë. Shkollën kishte kohë që e kishte braktisur, njëherë për shkak të luftës e pastaj për ta ndihmuar familjen.

Atë ditë ky fëmijë i komunitetit ashkali nuk ishte kthyer më. I ati, Hysen Asani, thotë se atë mbrëmje e kishin gjetur  të vrarë në një shtëpi të braktisur të një serbi në qendër të Ferizajt.

“Kur mbërritëm na thanë: ‘Ja ku është kufoma e djegur’. I kishin mbetur një këpucë dhe ora e shkrirë me paratë që ka punuar në pazar”, tregon i ati.

Prindërit tregojnë se ishin trupat amerikane të KFOR-it që kishin dalë në vendin e vrasjes  dhe e kishin sjellë trupin në shtëpi.

“Amerikanët (ushtarët) e dërguan për obduksion dhe e kanë  vërtetuar që ka qenë 7 herë i therur në kokë e pastaj është djegur ”, shton Asani.

Kjo vrasje gjithashtu nuk figuron të jetë regjistruar në ndonjë dosje të Prokurorisë dhe as që u hap ndonjëherë për hetim.

Prokuroria Themelore dhe Gjykata në Ferizaj ia kanë konfirmuar RTK-së se kjo vrasje nuk figuron në dosjet e tyre.

Njëjtë është përgjigjur edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, që në atë kohë ishte përgjegjëse për regjistrimin e të gjitha rasteve, derisa misioni i OKB-së (UNMIK) formoi Shtyllën për Polici e Drejtësi, me një sistem të përzier prokurorësh e gjykatësish vendorë e ndërkombëtarë.

Ish-prokurorja Drita Hajdari ishte në mesin e 10 prokurorëve e gjykatësve vendorë që nisën punën në qershor të vitit 1999, me një vendim të ish-shefit të parë të UNMIK-ut, Sergio Vieira de Mello. Ajo thotë se rastet janë regjistruar nga KFOR-i.

“Jam e bindur që të gjitha rastet janë regjistruar, sepse KFOR-i dhe UNMIK-u i kanë mbledhur të gjitha provat”, i ka thënë Hajdari  Radio Kosovës.

Hajdari thotë se mund të ketë pasur ndonjë gabim teknik në transfer, por shumica e rasteve janë regjistruar në databazën e UNMIK-ut të quajtur “ZyLAB” , e cila nuk u është bartur autoriteteve vendore të gjyqësorit.

“Ndonëse ne në atë periudhë menjëherë pas luftës nuk kemi pasur mundësi objektive për t’i trajtuar të gjitha ato raste, ato nuk janë zhdukur”, shton ajo.

Vrasje të tjera të bëra qe 26 vjet gjithashtu nuk figurojnë të jenë të regjistruara, për të cilat hetimet nuk u hapën kurrë.

Xhevdet Neziraj, një ish-aktivist për të drejtat e njeriut dhe ish-deputet nga komuniteti egjiptian, numëron disa raste të vrasjeve të pjesëtarëve të komunitetit rom e atij egjiptian në lagjen e tij në Pejë. “Nuk e di nëse figurojnë diku. Por asnjë nga ato nuk është hetuar “, thotë ai.

Ismet Shufta, ish-prokuror i nacionalitetit turk që kishte punuar deri në përfundim të luftës si prokuror dhe në qershor të 1999-s ishte në grupin e parë të prokurorëve që filluan punën, thotë se rastet e mosregjistrimit mund të kenë qenë të rralla.

“Ne kemi punuar në kushte të jashtëzakonshme, por kudo ku ka ndodhur ndonjë vrasje KFOR-i u është përgjigjur situatave”,  ka thënë Shufta. ”Mund të ketë ndodhur ndonjë rast, ndonjë gabim apo pakujdesi nga KFOR-i, por ato rrallë ndodhin”, thotë ai.

KFOR-i i bën të qasshme dosjet e pasluftës

Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se pavarësisht nëse nuk janë regjistruar “hetimet duhet të hapen për këto raste”.

Misioni i NATO-s (KFOR) ka dhënë se “të gjitha dokumentet përkatëse të mbajtura në arkivin e KFOR-it tashmë janë bërë të qasshme për institucionet në Kosovë, në përputhje me politikat e NATO-s”.

Zëdhënësja e UNMIK-ut, Hayat Abu Saleh, thotë se dosjet e çështjeve penale të UNMIK-ut iu transferuan EULEX-it në vitin 2008.

“Dosjet nga e EULEX-i më pas u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës”,  i ka thënë Saleh Radio Kosovës.” E sa i  përket databazës së të dhënave ‘ZyLAB’, siç është komunikuar më parë me Zyrën e Prokurorisë Speciale, UNMIK-u nuk ka mbajtur kurrë një bazë të tillë të dhënash”.

Jean Christian Cady, ish-kryesues i Shtyllës I të UNMIK-ut për Polici e Drejtësi mes viteve 2000 -2004, që mbajti pozita të larta në misionin e OKB-së në Kosovë, thotë se hetimet e KFOR-it ishin të pakënaqshme.

“Në fakt, mund të them se për shkak të mungesës së trajnimit, ushtarët ndonjëherë  dëmtonin skenat e krimit dhe autorët e krimit nuk identifikoheshin”, thotë Cady për Radio Kosovën.

Duke u kthyer pas në kohë, Cady thotë se në atë kohë KFOR-i nuk ia doli të vendoste siguri të plotë. “ Ushtarët nuk janë policë. Patrullimi i rrugëve me automjete nuk ishte pengesë për kriminelët. Kështu që krimi lulëzoi. Në 6 muajt e parë të misionit pati 500 vrasje”, thotë ai.

Cady, gjithashtu, thekson se themelimi i sistemit gjyqësor të Kosovës nga ana e UNMIK-ut ishte “kryesisht një dështim”. /rtk

The post Familjet shpresojnë në drejtësi për vrasjet e paregjistruara të pasluftës appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT