Një familje shqiptare është sulmuar në Zurich të Zvicrës të shtunën mbrëma, menjëherë pas ndeshjes eliminatore për Botërorin 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve 1:0 në Leskovc.
Sipas raportimit të mediumit zviceran “Blick”, familja shqiptare kishte dalë për të festuar fitoren e Shqipërisë, duke udhëtuar me një veturë Mercedes që mbante flamurin kombëtar shqiptar.
Në zonën Schwamendingen, pranë një bari, ata ranë në kontakt me një grup tifozësh serbë.
“Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe na theu xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta zinxhir apo rrip.
Copëzat e xhamit fluturuan në ulësen e pasme, ku ishte vajza jonë 10-vjeçare”, rrëfen Donika J., e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit.
Ajo thotë se sulmuesi goditi xhamin në lartësinë e kokës së saj dhe shpërthimi i xhamit ishte aq i fortë sa familja u trondit rëndë.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që diçka e tillë do të ndodhte në Zvicër”, shtoi ajo me lot në sy.
Familja njoftoi menjëherë policinë e Zurichut, e cila konfirmoi se ka marrë të paktën një raportim për një veturë të dëmtuar dhe disa njoftime për trazira gjatë mbrëmjes.
Incidenti në Zurich nuk ishte i vetmi. Edhe në Luzern, pas ndeshjes, janë raportuar përleshje dhe provokime mes tifozëve të Serbisë dhe Shqipërisë.
Sipas policisë, festimet shkaktuan bllokime trafiku dhe mbyllje të përkohshme të rrugëve, ndërsa u lëshuan 50 gjoba për shkelje të ndryshme të ligjit të trafikut.
Autoritetet zvicerane po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa komuniteti shqiptar në Zvicër ka dënuar sulmin, duke kërkuar ndërhyrje më të ashpër të policisë ndaj akteve të urrejtjes etnike.