Familja Morina u mashtrua nga Enver Kastrati, bashkëfshatar i tyre, me premtimin se me 3 mijë e 500 euro, do ta dërgonte 29-vjeçarin me aftësi të kufizuara në Gjermani për shërim.
Por kjo nuk ndodhi. Përveç kësaj, as 2 mijë eurot që ia kishin dhënë si pjesë e parë e pagesës, familja Morina nuk i panë më kurrë.
Avokati Arbër Jashari, rastin me të cilin po përballet familja Morina e cilësoi mashtrim klasik.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes postës elektronike e ka konfirmuar se është bërë hedhja e kallëzimit penal për shkak të parashkrimit relativ.
Sipas aktvendimit të 8 marsit të 2022-ës, ky veprim është marrë duke u bazuar në ligjin 04/L-082 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 106, paragrafi 1, pika 1.4, sipas të cilit parashkrimi relativ ndodh kur kalojnë tre vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se 1 vjet.
Avokati Jashari, rreth parashkrimit relativ ka thënë se është siguri juridike që shteti ofron për qytetarët.
Kjo ngase sipas tij, askush nuk mund të ndiqet nga shteti përjetësisht por vetëm deri në një afat të caktuar.
Ndonëse pas parashkrimit relativ duket se nuk ka më shpresa për rastet e mashtrimit në të cilat kallëzimet penale hidhen poshtë, avokati Jashari ka thënë se pas këtij aktvendimi, dera e fundit që qytetarët mund të trokasin, mbetet ajo e Prokurorisë së Apelit.
Nëse edhe ky institucion pushon çdo procedurë, atëherë e gjitha që mund të bëhet është të kërkohet kompensim dëmi. Ndonëse edhe kjo e drejtë mund të mos vlejë pas kalimit të një kohe.
Avokati potencoi se duhet një aktivizim shumë më i madh i gjykatave dhe administratave që lëndët të ecin më shpejt përpara, kjo ngase sipas tij nuk është aspak e dobishme që të dënohet dikush pas 15 vjetëve për një krim që ka bërë para shumë viteve.
Sa i përket rastit të Kushtrim Morinës dhe Enver Kastratit, Kiks Kosova tentoi që të bie në kontakt me Enverin dhe të marrë versionin e tij për krejt këtë situatë, mirëpo meqenëse i njëjti nuk jeton në Kosovë, Kiksi telefonoi vëllain e tij dhe ai na tha që assesi nuk mund të kontaktojmë me Enverin.
Kështu duke mbetur pa anën e historisë së Enver Kastratit për ngjarjen e 2016-ës. /Klankosova.tv
The post Familja Morina mbetet edhe pa 2 mijë euro dhe pa Gjermani, rastin e gjen “fati” i parashkrimit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


