Familja Bujupi fiton 600 mijë euro në loto në Britani: Do ta ndihmojmë nënën në Kosovë

Familja Bujupi fiton 600 mijë euro në loto në Britani: Do ta ndihmojmë nënën në Kosovë

Një çift në Britani të Madhe falënderon pasionin e vajzës së tyre trevjeçare për ëmbëlsirat, për fitoren e 524,000 funtave (604 mijë euro) në EuroMillions.

Valdet Bujupi, 44 vjeç, nga Barrow, Cumbria, por me prejardhje nga Kosova, tha se nuk do të kishte blerë kurrë një biletë me fat nëse vajza e tij nuk do të kishte qenë kaq këmbëngulëse në kërkesën e saj për ëmbëlsira gjatë udhëtimit për në shtëpi.


Babai i dy fëmijëve tha se ishte dorëzuar dhe ishte drejtuar për në një dyqan pas herës së tretë që ajo e luti për të blerë ëmbëlsira.

“Jemi të gjithë të lumtur dhe vajza jonë, e cila ishte tashmë princesha e babit, tani është bërë Mbretëreshë”, tha Bujupi.

Valdeti luajti një biletë me fat në shortin e 5 shtatorit dhe përputhi pesë numra kryesorë dhe një yll me fat – 27, 30, 31, 41, 43 dhe 05 dhe 08.

Dhe doli të ishte fitues i çmimit prej 524,000 funtave,

Abbey Bujupi, 40 vjeç, tha se kishte qenë duke pastruar kur mori një telefonatë nga bashkëshorti i saj.

“Po pastroja banjën dhe nuk më bëri përshtypje që më duhej të hiqja dorezat e gomës për t’iu përgjigjur telefonit.”

“Fjalët e para të Valdetit ishin rezervo bileta për në New York, kamkam fituar llotarinë”, tha Abbey.

Çifti kishte kursyer për udhëtimin e ëndrrave të tyre në New York që nga Krishtlindjet e kaluara, por Bujupi tha se kishte qenë e vështirë për shkak të diçkaje që gjithmonë dilte për të “ua prishur planet”.

“Tani, gjëja që ka dalë në pah është bilanci ynë bankar. Më në fund mund ta bëjmë realitet New Yorkun dhe shumë plane të tjera.”

Kur e ndanë lajmin me djalin e tyre 12-vjeçar, Bujupi tha se kishte qenë “një nga momentet më të çmendura” duke u përpjekur ta bindnin se kishin fituar.

“Ai mendoi se ishte shaka dhe vetëm pasi i tregova fitimin në aplikacionin e lotarisë, ai ishte i gatshëm të na besonte.”

Përveç New Yorkut, Bujupi tha se po planifikonte një dhuratë të madhe për nënën e tij në Kosovë për t’ia “bërë jetën pak më të lehtë”.

“Të qenit në gjendje ta ndihmoj mamanë time të shijojë rehat vitet e saj të pleqërisë do të thotë shumë për të dy ne.” /Telegrafi/