Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë një person i identifikuar me inicialet V.E., nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.
I dyshuari është arrestuar të shtunën mbrëma në pikën kufitare të Bërnjakut, në kuadër të hetimeve të zgjeruara që lidhen me një rast të muajit janar 2025, kur autoritetet kishin zbuluar një laborator të specializuar për falsifikim dokumentesh.
Sipas Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se i arrestuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, i cili ka prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara të rreth 50 shteteve të ndryshme të botës.
Ndaj të dyshuarit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës. Të gjitha veprimet po ndërmerren në përputhje me Kodit e Procedurës Penale të Kosovës. /Telegrafi/