Fabregas zbulon lëvizjen e radhës në karrierën e Busquets pas daljes së tij në pension

Fabregas zbulon lëvizjen e radhës në karrierën e Busquets pas daljes së tij në pension

Cesc Fabregas ka zbuluar se cila do të jetë lëvizja e radhës në karrierën e Sergio Busquets, pasi mesfushori spanjoll ka konfirmuar se do të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni.

Busquets iu bashkua ekipit amerikan Inter Miami në vitin 2023, duke i dhënë fund një karriere 18-vjeçare me Barcelonën.


Gjatë kohës së tij me gjigantët katalanas, 37-vjeçari fitoi një sërë trofesh, përfshirë nëntë herë La Ligan dhe tre herë Ligën e Kampionëve.

Ai u tërhoq nga kombëtarja e Spanjës në vitin 2022, pasi ndihmoi vendin e tij të fitonte Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në 2012.

Busquets do të varë këpucët në gozhdë në dhjetor, kur të përfundojë sezoni i MLS. Dhe sipas Fabregas, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2023 dhe ka luajtur përkrah Busquets si në klub ashtu edhe në kombëtare, spanjolli synon të bëhet trajner pas përfundimit të karrierës si futbollist.

“Është një mik dhe një person i jashtëzakonshëm, përveçse një futbollist i madh”, tha Fabregas në një konferencë për shtyp të premten, sipas Tuttomercatoweb.

“Edhe familja e tij është e tillë. Mendoj se ka ardhur momenti, duhet t’u lëshojë vendin më të rinjve. Por është ai lloj lojtari që të bën të dashurohesh me futbollin”.

“Ai është tipi i lojtarit që nuk e vë re kur është në fushë, por kur nuk luan, kupton sa i rëndësishëm është”.

“Urime të mëdha, sepse është ndërtuar një karrierë e pabesueshme. Jeton mirë, fle mirë edhe pse, kur je i ri, nuk është gjithmonë e lehtë ta bësh këtë”.

“E ka menaxhuar në mënyrë fantastike. Ai dëshiron të bëhet trajner, dhe i uroj gjithë fatin e botës”, përfundoi Fabregas./Telegrafi/