Erdogan paralajmëron ngritjen e çështjes së Gazës në OKB

news image

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se do ta ngrejë çështjen e “masakrave” izraelite në Gaza në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet javën e ardhshme në New York.

Duke folur përpara nisjes për në SHBA, Erdogan u shpreh se shpreson që njohja më e gjerë ndërkombëtare e shtetit të Palestinës do të përshpejtojë përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete. Ai shtoi se planifikon të takohet me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin sirian Ahmed al Sharaa gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, raportoi Sky News.

Në të njëjtën kohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, pritet të shpallë zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës nga Britania – një hap i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike.

Ky vendim vjen pas paralajmërimit të Starmer në korrik, kur ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të ndryshonte qëndrimin e saj në shtator nëse Izraeli nuk do të përmbushte disa kushte, duke përfshirë një armëpushim në Gaza dhe angazhimin për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje që përfshin një zgjidhje me dy shtete.

Në të kaluarën, qeveritë britanike kanë theksuar se njohja e Palestinës duhet të ndodhë si pjesë e një procesi paqeje, në një moment kur ajo ka ndikim të madh diplomatik. Por zhvillimet e fundit duket se kanë sjellë një ndryshim të qartë në këtë politikë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/