Erdogan me foton nga Gaza në OKB: Kush hesht, është bashkëfajtor në këtë barbarizëm

news image

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, iu drejtua të pranishmëve në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke shprehur pakënaqësinë që presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, iu ndalua të vinte në New York.

“Qëndrojmë këtu përpara jush në emër të 86 milionë qytetarëve tanë dhe të vëllezërve e motrave tona palestineze, zërat e të cilëve po përpiqen të heshtën. I ftoj të gjitha vendet që ende nuk e kanë bërë këtë, ta njohin shtetin e Palestinës. Qëllimi i OKB-së është të mbështesë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ndërsa ne flasim këtu, Izraeli po masakron civilë në Gaza. Numri i civilëve të plagosur në Gaza ka kaluar 65 mijë. Fatkeqësisht, ende nuk dihet numri i personave që ndodhen nën rrënoja.”, tha lideri turk.

Ai më pas shfaqi një fotografi nga Gaza, duke theksuar rëndësinë e njohjes së tragjedisë humane.

“Secili prej këtyre njerëzve është një qenie njerëzore, janë njerëz të pafajshëm. Njerëzit nuk vriten vetëm me armë, por edhe nga uria. Në shekullin XXI-të, në një botë që quhet e civilizuar, njerëzit po vdesin nga uria. Po ju tregoj një fotografi nga Gaza. Këto janë gra që mbajnë tenxhere bosh në duar. Më përgjigjuni – a ka ndonjë justifikim për këtë brutalitet në vitin 2025? Kjo pamje e turpshme nga Gaza përsëritet çdo ditë. Mbështes Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së që vazhdimisht e sjell në vëmendje gjenocidin në Palestinë dhe e përgëzoj edhe kësaj here për qëndrimin e tij. OKB-ja nuk ka qenë në gjendje të mbrojë as stafin e saj në Gaza. Njerëz janë vrarë.”, theksoi Erdogan.

Presidenti turk shtoi se është koha për të reaguar ndaj kërcënimeve të Izraelit.

“Duhet ta kuptojmë këtë: Jerusalemi është vend i shenjtë për tre fetë monoteiste. Nuk mund të vazhdojmë më me këtë çmenduri. Duhet të kemi një armëpushim në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmet duhet të ndalen. Me ndihmën e Zotit, kjo do të ndodhë. Kush hesht, është bashkëfajtor në këtë barbarizëm.”, theksoi 71-vjeçari.

Ai u bëri thirrje të gjithë krerëve të qeverive dhe shteteve që të qëndrojnë përkrah popullit palestinez dhe njerëzimit.

“Ndërsa qytetarët tuaj protestojnë ndaj barbarizmave në Gaza, tregoni guxim që të veproni këtu në këtë vend. Kjo është një politikë gjenocidi, vrasjesh masive, që po zbatohet nën pretekstin e ngjarjes së 7 tetorit. Ndërsa Gaza po shkatërrohet nën justifikimin e Hamasit, Bregu Perëndimor – ku Hamasi nuk është në pushtet – po pushtohet gradualisht dhe civilët e pafajshëm po masakrohen. Izraeli nuk po kufizohet vetëm me Gazën dhe Bregun Perëndimor. Me gjithë respektin, kjo është pika më e ulët e njerëzimit. Historia njerëzore nuk ka parë një krim të tillë në shekullin e fundit.”, përfundoi Erdogan.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/