Enver Haliti i VV-së prezanton zgjidhjen për ujë 24h në Ferizaj

Enver Haliti i VV-së prezanton zgjidhjen për ujë 24h në Ferizaj

Në një tubim të sotëm para qytetarëve, ku prezent ishte edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kandidati i VV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, prezantoi zgjidhjen për problemin e ujit të pijes.

Sipas tij, gjatë mandatit të ardhshëm problem I ujit të pijes do të zgjidhet me 3 ndërhyrje, të cilat në total do të kushtojnë 70 milionë euro.


“Ndërhyrja e parë do të jetë ndërtimi i Digës së Firajës në Lumin Lepenc, digë e cila do të sigurojë furnizimin e nevojshëm prej 250 litra në sekond kapacitet shtesë, përmes tubit që e sjell ujin tek fabrika ekzistuese në Pleshinë. Ky projekt do të kushtojë 60 milionë euro, dhe është bërë studimi i fizibilitetit, ndërkaq financimi do të bëhet me kredi nga BERZH-i”, tha Haliti.

Sipas Halitit, ndërhyrja e dytë do të jetë ndërtimi i fabrikës së re për përpunimin e ujit të pijes, gjithashtu me kapacitet 250 litra në sekond, dhe faza e projektimit është drejt përfundimit. Ndërsa ndërhyrja e tretë do të jetë integrimi i plotë I rrjetit të ujësjellësit, duke instaluar edhe ujëmatësit, si dhe duke sanuar problemet ekzistuese në rrjet me qëllim reduktimin e humbjeve. Të dyja këto ndërhyrje pritet të kushtojnë secila nga 5 milionë euro.

Enver Haliti garon për postin e të parit të Ferizajt përballë Agim Aliut të PDK-së, i cili ka 10 vite që qeveris me Komunën e Ferizajt.