“EngineeringHER Future” në finalet e Teknofest 2025 – përgëzohet edhe nga drejtori i kompanisë turke të teknologjisë “Baykar”

“EngineeringHER Future” në finalet e Teknofest 2025 - përgëzohet edhe nga drejtori i kompanisë turke të teknologjisë "Baykar"

Një sukses historik për Kosovën në skenën ndërkombëtare të teknologjisë.

“EngineeringHER Future” është i vetmi ekip nga vendi ynë që ka arritur të kualifikohet në finalet e TEKNOFEST 2025, festivali më i madh në botë i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë, i mbajtur në Stamboll.


Në këtë edicion të TEKNOFEST-it, që mblodhi mbi 565 mijë ekipe dhe 1.2 milion pjesëmarrës nga 96 shtete, përfaqësimi i Kosovës në mesin e finalistëve është një arritje e jashtëzakonshme dhe dëshmi e potencialit të të rinjve tanë në fushat e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ekipi kosovar u takua edhe me Selçuk Bayraktar, drejtor i kompanisë turke të teknologjisë “Baykar” dhe Drejtor i TEKNOFEST-it, i cili vizitoi stendën e Kosovës dhe u njoh nga afër me projektin e “EngineeringHER Future”.

Ky takim përbën një moment të veçantë për të rinjtë nga Kosova, duke ofruar jo vetëm njohje ndërkombëtare, por edhe motivim për gjeneratat e reja që duan të ndjekin rrugën e teknologjisë dhe inovacionit.

“Besojmë që kjo arritje është me interes të madh për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për të rinjtë që synojnë të merren me shkencë, teknologji dhe sipërmarrje. Jemi krenarë që kemi mundur të përfaqësojmë vendin tonë në një ngjarje kaq të rëndësishme ndërkombëtare dhe shpresojmë që historia jonë të jetë një frymëzim për shumë të tjerë”, deklaruan anëtarët e ekipit.

Ndryshe, për gjatë pesë ditëve, festivali prezantoi shpikje të reja në robotikë, inteligjencë artificiale, hapësirë, mjeksinë digjitale dhe siguri kibernetike. /Telegrafi/