Gjilani u trondit rëndë më 10 gusht nga një krim i trefishtë që ndodhi në mesditë, rreth orës 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, tre persona mbetën të vrarë dhe dy tjetër u plagos.
Mefail Shkodra me dy djemtë e tij, Edonisin dhe Engjullin, pas aktit të rëndë janë akoma në arrati tash e mbi një muaj
Policia e Kosovës është ende në kërkim të tyre.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i ka thënë Gazetës Sinjali se “po punohet intensivisht lidhur me rastin”.
Në anën tjetër, për shkak të hetimeve lidhur me veprimet hetimore e policore për këtë vrasje, u suspenduan edhe katër policë.
Gazeta Sinjali raportoi se ata janë:
Shaban Hajdari, Rreshter, Shef i Hetimeve, Stacioni Policor Novobërdë;
Bekim Sabedini, Rreshter, Njësia e Hetimeve Rajonale, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan;
Ardian Demiri, Hetues, Stacioni Policor Gjilan;
Metush Arifi, Zyrtar Policor, Njësia e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan.
“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan. Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, thuhej në njoftimin e IPK-së.
Në këtë rast humbën jetën Selami Hasani rreth 67-vjeçar, Edmond Hasani dhe Abedin Hoxha rreth 68-vjeçar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!