Emrat e të dyshuarve për shpërthimin e veturës së u.d. drejtorit të QKUK-së

Emrat e të dyshuarve për shpërthimin e veturës së u.d. drejtorit të QKUK-së

Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona në kuadër të një aksioni të zhvilluar më 9 shtator 2025, në lidhje me rastin e shpërthimit që ndodhi më 30 prill në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku u dëmtua vetura e ushtruesit të detyrës së drejtorit, Osman Hajdari.

Të arrestuarit dyshohen se vepronin si grup i organizuar kriminal, i përfshirë jo vetëm në shpërthim, por edhe në veprimtari të tjera të jashtëligjshme, përfshirë narkotikët dhe armët. Mes tyre janë: Kastriot Ahmeti, Fatmir Dodaj, Ylber Syla, Mimoza Hoti, Vera Hallulli, Majlinda Gjeka, Sadije Hasanaj, Hamza Tahiri dhe Flutura Farici.


Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, gjatë bastisjeve në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë – janë sekuestruar:

142 kg e 172 gramë kanabis sativa në fazën përfundimtare të përpunimit,

armë zjarri (një pistoletë dhe një kallashnikov),

gjashtë fishekë, një palë pranga metalike, një radio-lidhje,

disa telefona, një laptop dhe dokumente të ndryshme.

Prokuroria ka bërë të ditur se njëri nga të ndaluarit, F.D., kishte urdhër-arrest aktiv për çështje të narkotikëve dhe tashmë është dërguar për vuajtje dënimi. Ndërsa nëntë të tjerë janë ndaluar për 48 orë, me procedura të ndara për rastet individuale.

Ky aksion vjen pas katër muaj hetimesh mbi shpërthimin në veturën e Hajdarit, rast që tronditi opinionin publik.

Përveç personave të arrestuar më 9 shtator, policia kishte ndaluar edhe B.K. nga Podujeva, i dyshuar për vendosjen e mjetit shpërthyes në veturë. Ai po hetohet për “mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “përdorim të mjetit të rrezikshëm”.

Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë zhvillime të tjera lidhur me grupin e dyshuar.