Kryenegociatori i Donald Trump, Steve Witkoff thuhet se fundjavën e kaluar pati një takim sekret me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Axios se takimi u përqendrua në protestat e përgjakshme që kanë shpërthyer në Iran prej dy javësh, në të cilat vlerësohet se më shumë se 1,850 protestues janë vrarë nga regjimi.
Kjo ngjarje shënon takimin e parë të nivelit të lartë midis opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave. Djali i Shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi, nuk i fsheh qëllimet e tij për t’u kthyer në Iran, ndërsa nuk mungojnë deklaratat e tij në rrjetet amerikane me mesazhe drejtuar Donald Trump.
“Z. President, ju tashmë keni krijuar një trashëgimi si njeri i paqes. Fjalët tuaja të solidaritetit u kanë dhënë iranianëve forcën për të luftuar për liri. Dhe ndërsa Khamenei dhe banditët e tij bëjnë thirrje për ‘Vdekje Amerikës’, populli iranian po riemërton rrugët sipas jush”, tha ai.
Pahlavi u bën thirrje nëpunësve civilë dhe forcave të sigurisë të qëndrojnë pranë protestuesve, ndërsa thekson se liria e Iranit është afër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


