I dërguari special i BE-së për dialogun midis Kososvës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka thënë se i dëgjoi me kujdes bashkëbiseduesit e tij në Serbi, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për shkak të njerëzve në terren.
Sorensen tha se kishte zhvilluar bisedime përgatitore në Beograd për takimet e ardhshme si pjesë e dialogut.
“Pas vizitës sime në Prishtinë në fillim të gushtit, sot isha në Beograd për bisedime përgatitore për takimet e ardhshme në kuadër të dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren”, ka theksuar Sorensen, në platformën sociale, X.
Sorensen gjatë vizitës në Kosovë më 6 gusht ku ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ka kërkuar implementimin e marrëveshjeve.
Ai në një adresim për media, pas takimeve, pati deklaruar se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë gjërat mund të marrin më shumë kohë.
Kurti pas takimit me Sorensenin pati deklaruar se ka kërkuar më shumë mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!