Emily Blunt tërhoqi vëmendjen me një paraqitje të guximshme në premierën e filmit “The Smashing Machine”, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Toronto 2025.
Aktorja 42-vjeçare u shfaq me një bluzë të zezë elegante me detaje dantelle dhe prerje në formë vrime çelësi, duke zbuluar barkun e saj të tonifikuar.
Ajo e kompletoi veshjen me pantallona të zeza me bel të ulët, bizhuteri delikate dhe një grim të lehtë që theksonte tiparet e saj natyrale, shkruan DailyMail.
Përkrah saj në tapetin e kuq qëndroi bashkëshorti i saj, John Krasinski, 45 vjeç, i cili zgjodhi një kostum trepjesësh ngjyrë gri të kombinuar me kravatë të zezë, duke shtuar një prekje sofistikimi.
Çifti u përshëndet me duartrokitje nga të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen si një nga çiftet më të admiruar të Hollywood-it
.
Në premierë ishte i pranishëm edhe protagonisti kryesor i filmit, Dwayne Johnson, i cili ka pësuar një transformim të madh fizik për rolin e mundësit dhe pionierit të UFC-së, Mark Kerr.
I njohur për muskujt e tij të fuqishëm, aktori 53-vjeçar ka humbur rreth 28 kilogramë për t’iu përshtatur personazhit, duke befasuar publikun me pamjen e tij më të dobët dhe më të thjeshtë.
Filmi, i regjisorit Benny Safdie, sjell një dramë biografike që pasqyron jetën e Kerr, sfidat e tij me abuzimin me substanca, marrëdhëniet familjare të trazuara dhe ngritjen e tij në botën e MMA-së.
Emily Blunt interpreton rolin e bashkëshortes së Kerr, Dawn, duke sjellë një tjetër dimension emocional të historisë.
“The Smashing Machine”, i cili do të shfaqet në kinematë botërore nga 3 tetori, është cilësuar si një ndër projektet më të guximshme të këtij viti, falë lojës së fuqishme të aktorëve dhe transformimit mbresëlënës të Johnson. /Telegrafi/