Elvis Shkambi kërkon falje për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja: Ngjarja erdhi nga tronditja psikike

news image

Elvis Shkambi, i akuzuar për vrasjen e gjykatësit të Apelit, Astrit Kalaja, ka kërkuar falje publike ndaj familjes së viktimës gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë ndaj tij në Gjykatën e Tiranës.

“Ngjarja ka ardhur si pasojë e tronditjes psikike nga kalavari i gjatë i gjyqeve. Gjykata nuk e ka zgjidhur çështjen ndër vite, institucionet nuk kanë bërë detyrën”, u shpreh Shkambi para trupit gjykues.

Për të, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë.

Në lidhje me ngjarjen, është vënë nën hetim edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, i cili akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë. Ai dyshohet se ka nxitur nipin që të qëllojë edhe mbi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palët kundërshtare në procesin gjyqësor që kishte ndezur konfliktin mes tyre, raporton euronews.albania.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Shkambi ka qëlluar gjithashtu drejt Kurtajve, ndërsa Gjon Shkambi akuzohet se ka luajtur rol nxitës në këtë veprim.

Ngjarja tronditi opinionin publik dhe solli reagime të shumta për sigurinë e funksionarëve të drejtësisë në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/