Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka folur për hapjen e njërës prej dy urave që janë ndërtuar mbi lumin Ibër për të lidhur Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ai ka pohuar se serbët e veriut nuk janë kundër integrimit në institucionet e vendit, por sipas tij, ndikim të madh kanë partitë politike serbe.
“Komuniteti serb në atë pjesë nuk është kundër integrimit në institucionet e Republikës së Kosovës, as kundër mënyrës se si Kosova po performon në aspektin e të drejtave të njeriut. Por strukturat politike kanë ndikimin e tyre në jetën publike, përfshirë edhe presionin që lidhet me organizimin e komunikimit fizik, siç është rasti i ndërtimit të urave që mundësojnë kalimin e njerëzve nga një zonë në tjetrën,” ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se komuniteti serb e ka kuptuar se urat janë në të mirë të të gjithë banorëve të zonës dhe nuk kanë asnjë qëllim të dëmshëm.
“Personalisht kam pasur dyshimet e mia; kam qenë mjaft i bindur se kjo urë nuk do të hapet për shkak të diskutimeve të hapura rreth rreziqeve që mund të sillte një hapje e tillë. Por në fakt, ende nuk ka pasur ndonjë organizim zyrtar për hapjen e urës. Ajo që kam parë në storien e Klan Kosovës është se njerëzit dhe veturat tashmë lëvizin në atë urë. Komuniteti serb deri më tani e ka pranuar se urat janë të dobishme, fillimisht për ata që i shfrytëzojnë, dhe më pas si një element që nuk ka qëllime politike, por është në të mirë të të gjitha komuniteteve,” u shpreh Elezi. /Klankosova.tv
The post Elezi: Nga storja e Klan Kosovës pashë që ura në veri po përdoret pa kundërshtim appeared first on Klan Kosova.