Elezaj: Plan për ujë, infrastrukturë dhe zhvillim në Klinë (VIDEO)

Elezaj: Plan për ujë, infrastrukturë dhe zhvillim në Klinë (VIDEO)

Zenun Elezaj, kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, ka shpallur planprogramin për mandatin katërvjeçar nëse zgjidhet.

Ai në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, tha se prioritet është përfundimi i tranzicionit të qytetit të Klinës, projekt që ka nisur vitin e kaluar dhe planifikohet të përfundojë në fund të vitit 2026.

“Bazuar në gjendjen që është në Klinë, ne kemi identifikuar disa projekte që do t’i realizojmë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Do ta përfundojmë tranzicionin e qytetit të Klinës, projekt që ka filluar vitin e kaluar dhe është i planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2026. Do të bëhet hartimi i projektit teknik për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, projekt që do të kushtojë rreth 10 milionë euro. Do të ndërtohet një fabrikë e re për ujë të pijshëm me kapacitet 200 litra në sekondë. Do të ndërtohen katër impiante biologjike për trajtimin e ujërave të zeza në ato lokacione ku konfiguracioni nuk e mundëson trajtimin gravitativ. Do të hartohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e ngrohjes qendrore të Klinës”, tha Elezaj, transmeton Klankosova.tv. 

Ai po ashtu planifikon aktivizimin e qendrës rinore pranë palestrës Adem Jashari, ndërtimin e një parku rekreativ pranë shkollës Fehmi Ahani dhe në të gjitha shkollat e fshatrave ku nuk ekziston një park .

“Do të aktivizohet qendra rinore afër palestrës Adem Jashari. Do të ndërtohet një park rekreativ pranë shkollës Fehmi Ahani dhe në të gjitha shkollat e fshatrave ku nuk ekziston.

Do të ndërtohet një çerdhe dhe një shkollë në Desnidollc të Klinës dhe një objekt arsimor në fshatin Zllakuqan. Do të vazhdohet me rregullimin e shtretërve të lumenjve. Ky planprogram është rezultat i analizës së nevojave të qytetit dhe synon përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimit dhe jetës së qytetarëve të Klinës”, u shpreh Elezaj./Klankosova.tv  

 

The post Elezaj: Plan për ujë, infrastrukturë dhe zhvillim në Klinë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.