Melbourne City FC ka njoftuar zyrtarisht nënshkrimin e lojtarit të Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani, për sezonin e ardhshëm.
Pas shumë viteve në futbollin evropian, Rashani ka zgjedhur të bëjë aventurën e parë jashtë kontinentit.
Sulmuesi anësor i Kosovës ka vendosur Australinë si destinacion të radhës, pasi ka nënshkruar me një klub të njohur nga Superliga e këtij shteti.
Bëhet fjalë për kampionët e Austrilisë, Melbourne City FC, klubi i cili ka njoftuar transferimin e Rashanit, me të cilin ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.
“Jemi të kënaqur të njoftojmë nënshkrimin e lojtarit të kombëtares kosovare Elbasan Rashani për sezonin e ardhshëm!”, thuhet në njoftim.
Me më shumë se një dekadë përvojë në të gjithë Evropën, 32-vjeçari ka shijuar periudha të shkëlqyera në Norvegji, Francë, Turqi dhe Danimarkë, duke grumbulluar mbi 300 paraqitje me ekipin e parë.
“Kjo mundësi për t’u bashkuar me Kampionët në fuqi të Australisë është një për të cilën jam jashtëzakonisht i emocionuar”.
“Nga gjithçka që kam dëgjuar dhe tani e kam parë nga afër, Melbourne City është një klub me një mjedis fantastik dhe një ambicie të fortë për të vazhduar të fitojë. Pres me padurim të takohem me tifozët dhe të bëj gjithçka që mundem për të kontribuar në një tjetër sezon të suksesshëm”, ka thënë Rashani. /Telegrafi/