Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferim të një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Çekia përkatësisht Gjermania për në Kosovë.
Në njoftim, thuhet se gjatë ditës së djeshme më 13 janar, është transferuar shtetasi i Kosovës, i dënuar në shtetin e Çekisë për veprën penale “vrasje në tentativë”.
“I njëjti pas transferimit i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin e lartcekur”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
“Ndërsa me datën 14.01.2026 është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për përfshirje në veprat penale mbajtje në posedim dhe kontroll të armës, lëndim trupor dhe kanosje. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman, ku i dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse policore për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet tutje në njoftim.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.


