Është ekstraduar nga Dubai në Tiranë, mbrëmjen e së mërkurës, 39-vjeçari Kleviol Ahmetaj, i njohur me emrin e artit “Cllevio”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Ahmetaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Tiranë dhe Fier, për veprat penale “Përndjekje” dhe “Thyerje të masës së sigurisë”.
Rasti i përndjekjes ka të bëjë me këngëtarin Rigels Rajku, i njohur ndryshe si Noizy, dhe familjarët e tij.
Sipas policisë “Cllevio” akuzohet se për disa vite ka ushtruar përndjekje fizike dhe në rrjetet sociale ndaj Rigels Rajkut dhe anëtarëve të familjes së tij.
“Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Përndjekja’, pasi akuzohet se për disa vjet ka përndjekur fizikisht dhe në rrjetet sociale shtetasin R. R. dhe familjarë të tij. Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’,” thuhet në njoftim.
Operacioni u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit në Policinë e Shtetit me Zyrën e Interpol Abu Dhabi, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët i fshihen drejtësisë shqiptare.
Kleviol Ahmetaj, 39 vjeç, lindur në Lushnjë, u lokalizua dhe u arrestua në Dubai, si pjesë e operacionit të koduar “The Wanted”. /EuroNews/