Kuvendi i Kosovës, ka reaguar lidhur me ekspozitën e zhvilluar në Prishtinë, për masakrat në Kosovë, në të cilën janë shfaqur pasaktësi në të dhëna.
Në reagimin e publikuar në faqen e tij në Facebook, Kuvendi ka theksuar se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.
Kuvendi shton se kjo mbështetje nuk mund të cilësohet si miratim apo redaktim i narrativës së ekspozitës.
Postimi i plotë:
Sqarim për media
Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.
Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj.
Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.
Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


