Gjatë dëshmisë së tij në seancën ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, eksperti mjeko-ligjor Naim Uka i cili ka kryer autopsinë e tani të ndjerës Liridona Ademaj, tha se distanca e qitjes ka qenë 2-5 centimetra.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës në indet e buta përreth vrimës hyrëse të plagës”, tha Uka, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe, e cila është shoqëruar me thyrje të shumëfishta.
“Në raste të ngjashme kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes gjatë kryerjes së autopsisë, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të të njerit/ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të të ndjerës, në mënyrë që bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollava të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.
Po ashtu, Uka theksoi se gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakderdhja e mbledhur.
“Bazuar në literatutrën shkencore mjeko-ligjore dhe praktikat mjeko-ligjore, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para apo gjatë vrasjes së tani të ndjerës. Përjashtohet çdo mundëri tjetër që kjo gjakderdhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së të ndjerës”, shtoi ai.