Një aksident i rëndë ka tronditur komunitetin shkencor ndërkombëtar. Riccardo Pozzobon, gjeolog 40-vjeçar nga Padova, humbi jetën gjatë një ekspedite kërkimore në Akullnajën Mendenhall në Alaska, pjesë e një projekti të financuar nga National Geographic Grants Program.
Pozzobon kishte udhëtuar drejt SHBA më 26 gusht, së bashku me dy kolegë, për të studiuar thyerjet dhe morfologjitë e akullnajës nga një perspektivë planetare.
Më 2 shtator, gjatë eksplorimeve, ai rrëshqiti në një rrjedhë uji të shkrirë dhe u thith nga një zgavër natyrore në akull, e njohur si “lavaman”.
Përpjekjet e shpëtimtarëve vazhduan për ditë të tëra, por pa sukses, dhe autoritetet amerikane tashmë kanë pezulluar kërkimet.
Pozzobon ishte një figurë e njohur në fushën e gjeologjisë planetare. Profesor në Universitetin e Padovës, ai kishte bashkëpunuar me Agjencinë Hapësinore Evropiane (ESA) dhe ishte instruktor i astronautëve, mes tyre edhe Luca Parmitano, për përgatitjet e misioneve në Hënë dhe Mars.
Në vitin 2024 ai publikoi një studim të rëndësishëm në Nature, duke fituar njohje ndërkombëtare. Projekti i tij në Alaska, i quajtur Gemini, synonte të kombinonte gjeologjinë tokësore me teknikat e eksplorimit hapësinor për të analizuar ndryshimet e akullnajave.
Tragjedia ka prekur thellë botën akademike. Shoqëria Gjeologjike Italiane e cilësoi humbjen një “lajm shkatërrues”, duke e kujtuar Pozzobonin si një njeri të jashtëzakonshëm dhe një studiues të shkëlqyer.
Rektorja e Universitetit të Padovës, Daniela Mapelli, tha: “Riccardo humbi jetën duke ndjekur një nga pasionet e tij më të mëdha: kërkimin. Është një pikëllim i madh dhe një ndjenjë pafuqie, por edhe dëshirë për ta kujtuar dhe nderuar gjithmonë.”
Pozzobon lë pas partneren e tij Claudia dhe një djalë të vogël. Për t’i ardhur në ndihmë familjes, Shoqëria Gjeologjike Italiane ka nisur një fond donacionesh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!