Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, që shpeshherë dalin të jenë banale, vazhdojnë të jenë burim përplasjeje e dhune mes qytetarëve në vendin tonë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku disa persona janë përfshirë në një përleshje fizike, e për pasojë disa kanë pësuar lëndime trupore.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda sistemit të drejtësisë bëjnë me dije se rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa katër të dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Të përfshirë në incident janë katër persona me inicialet, V.M., rreth 31-vjeçar, S.S., rreth 36-vjeçar, G.N., rreth 33-vjeçar dhe D.R., rreth 38-vjeçar.
Sipas informacioneve të para, përplasja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes V.M dhe G.N, e cila ka eskaluar në dhunë fizike, përfshirë më pas edhe dy të dyshuarit e tjerë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe përmes kamerave të sigurisë ka identifikuar të gjithë të përfshirët. Ata janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa një person tjetër është marrë në cilësinë e dëshmitarit.
Të katër të dyshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore – fillimisht në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ndërsa V.M është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë për shkak të natyrës së lëndimeve që ka pësuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar me çdo detaj të ri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit