Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku një person i dyshuar për vjedhje është arrestuar nga Policia, por më pas ka eskaluar situata edhe brenda stacionit policor.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 26.01.2026, rreth orës 01:00, në rrugën “Fehmi Lladrovci” , ku njësitë e Stacionit Policor Jugu kanë intervenuar pas raportimit për një vjedhje në një supermarket.
Sipas burimeve, në vendin e ngjarjes është arrestuar i dyshuari Flamur Musa Gashi, i cili dyshohet se është recidivist i veprave penale.
Mirëpo, pas shoqërimit të tij në stacion, i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, i cili si pasojë ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e pësuara.
Në lidhje me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ndërsa palët e përfshira janë intervistuar, përfshirë edhe të dyshuarin, i cili është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.
Po ashtu, sipas të dhënave nga burimet, pas matjes së alkoolit në organizëm, i dyshuari ka rezultuar me 0.60 promila.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, është marrë vendim që rasti të iniciohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, për rastin e vjedhjes, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


