Top Kolshi, i dyshuari për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, u dërgua sot në paraburgim për 1 muaj. Me një grup akoma të paidentifikuar, ata dyshohet se e rrahën me mjete të forta viktimën, e ngufatën dhe më pas e varrosën në një arë të fshatit.
Përfshirja e Kolshit në një konflikt me tashmë të ndjerin nuk ishte për herë të parë ditën tragjike.
Klankosova.tv ka mësuar ekskluzivisht se më 25 gusht 2022, Top Kolshi ishte arrestuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ku viktimë ishte Enver Bajraktari.
Bazuar në informacionet e atij rasti, Kolshi ishte denoncuar për rrahjen e Bajraktarit, në fshatin e tyre, për shkak të një mosmarrëveshje që atë kohë ishte raportuar për shkak të një borxhi.
Viktima kishte pësuar lëndime trupore dhe kishte marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari atë kohë ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, raporton Klankosova.tv
Edhe në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, është përmendur e kaluara kriminale e Kolshit, si dhe një aktgjykim ku i dëmtuar besohet të ketë qenë Bajraktari.
“I pandehuri ka edhe 2 Aktgjykime të plotfuqishme njëri prej të cilëve ka të bëjë me një rast që besohet se viktimë ka qenë tani i ndjeri, për çka me lënien e tij në liri, ekziston mundësia e kryerjes së ndonjë vepre tjetër të natyrës së njëjtë apo të ngjashme.”
Kolshi përfundoi në prangat e Policisë të hënën dhe gjatë marrjes në pyetje, e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e Bajraktarit.
Në arsyetimin e gjykatës për masën e sigurisë janë dhënë detaje mbi dyshimin e bazuar për ekzekutimin dhe më pas groposjen e viktimës në Baicë.
“Mes datës 03.08.2025 ora 16:00 dhe datës 04.08.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E. me datën 03.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dal nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhet e fshatit dhe aty i njëjti fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngulfatet dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit.
Më pas me datën 04.8.2025 rreth orës 12:10 familjarët e viktimës duke bërë kërkime nëpër zona të fshatit arrijnë ta gjejnë viktimën e varrosur pa shenja jete, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë.” – thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
“Fillimisht u godit në kokë e trup, më pas u ngufat”: Detaje nga vrasja e Enver Bajraktarit
The post Ekskluzive: Tri vjet më parë, Top Kolshi e kishte rrahur Enver Bajraktarin për një borxh appeared first on Klan Kosova.