Një përleshje mes disa personave në Tophanë të Prishtinës ka përfunduar me therje me thikë dhe një të lënduar rëndë, i cili është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 14 marsit rreth orës 19:30, në rrugën “Anton Çeta”, afër lokalit “Extrem Pizza”.
Sipas informacioneve nga terreni, pas një konflikti mes disa personave situata ka eskaluar në përleshje fizike, ku viktima E.B. 32 vjeç është therur me thikë.
Kur njësitë policore kanë arritur në vendin e ngjarjes, viktima tashmë ishte dërguar në QKUK, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe është hospitalizuar për shkak të lëndimeve.
Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e tij.
Lidhur me rastin janë përfshirë dy persona si të dyshuar:
A.S. 22 vjeç
E.H. 15 vjeç
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, ndërsa në konsultim me Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, janë iniciuar veprat penale:
• “Lëndim i rëndë trupor”
• “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
• “Sulm”
Ndërkohë është hapur edhe një rast “Sulm” ndaj viktimës, pasi dyshohet se gjatë konfliktit ai mund të ketë qenë i përfshirë në përleshje.
Hetimet për këtë incident janë në zhvillim, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


