Një rast i lëndimit të rëndë trupor është regjistruar më 7 mars 2026, rreth orës 09:40, në fshatin Shipashnicë e Epërme të Kamenicës, ku një person është therur me brisk pas një mosmarrëveshjeje.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, konflikti ka ndodhur ndërmjet Menduh Dërmakut dhe Xhafer Shurdhanit, të dy 51 vjeçar.
Dyshohet se mosmarrëveshja ka nisur pasi Menduh Dërmaku, i cili punon si taksist, kishte marrë një udhëtar, gjë që kishte nxitur reagimin e të dyshuarit Xhafer Shurdhani, i cili në atë moment ishte duke drejtuar autobusin e kompanisë “Buna Tours”.
Pas një fjalosjeje, i dyshuari dyshohet se ka marrë një brisk nga autobusi, ka hapur tehun dhe e ka goditur viktimën një herë në gjoks, në anën e djathtë.
Viktima fillimisht ka kërkuar trajtim mjekësor në QMF në Rogaqicë, ndërsa më pas është dërguar me autoambulancë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Policia ka intervistuar të dyshuarin, ndërsa gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe brisku që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Përgjithshme, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


