Wednesday, February 11, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Të shtëna me armë pranë shkollës “Don Bosko” në Prishtinë...

Ekskluzive | Të shtëna me armë pranë shkollës “Don Bosko” në Prishtinë – shënjestër një i mitur, Policia në kërkim të të dyshuarit

Një incident tejet shqetësues ka ndodhur pasditen e së hënës në Prishtinë, ku një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të mituri, duke shkaktuar panik në një zonë të frekuentuar nga nxënës dhe qytetarë.

Ngjarja ka ndodhur më 09.02.2026, rreth orës 13:50, në rrugën “12 Qershori”, në afërsi të shkollës “Don Bosko”. Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetimet dhe krim-teknika.

Në lokacion janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa pas shikimit të kamerave të sigurisë është konstatuar se një person është futur në një lokal dhe ka shtënë me armë në drejtim të viktimës E.G., rreth 17-vjeçar, pa shkaktuar lëndime fizike tek i mituri apo personat tjerë të pranishëm.

Pas intervistimit të viktimës dhe dëshmitarëve, hetuesi kujdestar ka njoftuar Prokuroren kujdestare, e cila ka udhëzuar që rasti të iniciohet për tri vepra penale: “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Njësia e hetimeve ka marrë përsipër trajtimin e rastit dhe është në proces të identifikimit të personit të dyshuar, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë intensivisht.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, i cili ka ndodhur në një zonë të ndjeshme dhe ka vënë seriozisht në rrezik sigurinë publike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT