Ekskluzive: Si u monitoruan policët e Kosovës nga OJQ e afërt me spiunen serbe? (VIDEO)

Ekskluzive: Si u monitoruan policët e Kosovës nga OJQ e afërt me spiunen serbe? (VIDEO)

Emisioni “Ora Shtatë” në Klan Kosova zbuloi të dhëna ekskluzive të OJQ-së serbe “Aktiv”, me bazë në Kosovë, e cila ka nxjerr një raport në dhjetor të 2024-ës, ku përfshihet puna e Policisë në detaje, dhe përcjellja e veprimtarisë së tyre në rrjete sociale.

Gazetari i Klan Kosova Kushtrim Bekolli, i cili ka siguruar ekskluzivisht materialet e kësaj organizate, tregon edhe lidhjen e OJQ-së me spiunen serbe, Ana Murganiq, e cila u arrestua gjatë muajit gusht në Kroaci bashkë me të dashurin kroat, nën dyshimin se kryen veprën penale “Spiunazhi”, transmeton Klankosova.tv.

Bekolli fillimisht tregon për bordin e “Aktiv”, teksa thotë se kjo OJQ vepron në Kosovë me dy adresa, njërën në Mitrovicë të Veriut e tjetrën në Prishtinë.

Sipas gazetarit, punimi i OJQ-së, e cila është ende aktive dhe merr fonde edhe nga Qeveria e Kosovës, ka funksionuar me metodologji të punës duke përdorur “hashtags” të njësive të Policisë.

Ndër të tjera ai thotë se fotografitë e përdorura nga kjo organizatë kanë pasur simbole shqiptare, si dhe këngë patriotike-atdhetare, të përdorura nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Sipas kësaj organizate, këto këngë janë ultra-nacionaliste dhe që bëjnë thirrje për shfarosje të Serbisë”, tha Bekolli.

Gazetari shpjegon tutje se përveç publikimit të këngëve, kjo OJQ ka shkruar dhe tekstet duke i përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Lidhur me këto zhvillime, Adnan Sogojeva thotë se i gjithë ky raport cenon sigurinë kombëtare të vendit.

“Mendoj se qëllimi kryesor i kësaj organizate është të atakojë policinë, dhe si rrjedhojë shtetin e Kosovës”, u shpreh Sogojeva.

Nga ana tjetër, Bekolli tregon se si “Aktiv” ka hetuar profilet e ndërlidhura me Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe ushtarët të FSK-së.

Sipas Bekollit, OJQ “Aktiv” mund të jetë një rrjet i gjerë spiunazhi.

“Kësaj organizate i pengon jashtëzakonisht shumë simboli që e bëjnë të gjithë shqiptarët. Pra shqiponja dykrenare”, thotë ai.

Lidhur me këtë, kjo organizatë në raportin e saj ka futur fotografi të zyrtarëve të Njësisë Speciale të PK-së, teksa bëjnë simbolin e shqiponjës dykrenare.

Ndër të tjera, Bekolli thotë se qëllim i kësaj organizate ishte baltosja e policëve dhe ushtarëve të Kosovës, e madje edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. /Klankosova.tv

Ndiqeni më poshtë të plotë:

The post Ekskluzive: Si u monitoruan policët e Kosovës nga OJQ e afërt me spiunen serbe? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.